Gjinushi: “PSD-ja, garantuesja për një qeverisje antikorrupsion”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka zhvilluar dje një takim elektoral në qytetin e Fushë-Krujës, ku ka prezantuar kandidaten për deputete të PSD-së, Ingrid Shuli. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Gjinushi tha se Partia Socialdemokrate do të jetë garantuesja që shqiptarët të qeverisen pas 28 qershorit nga një qeveri antikorrupsion. Ai e akuzoi qeverinë për mashtrime dhe demagogji, për rritjen e pagave dhe të pensioneve, ndërkohë që çmimet në vend janë rritur shumë herë. “Ju do të votoni për ndryshimin sepse Shqipëria nuk mund të shkojë në NATO dhe BE duke thelluar varfërinë, sepse nuk mund të pranoni mashtrimet që janë bërë me pagat dhe pensionet ku nuk janë dyfishuar ato, por janë dyfishuar çmimet. Është koha që arsimi, shëndetësia dhe bujqësia të zhvillohen me ritmet e të gjithëve, madje Shqipëria të jetë vendi i parë”, - theksoi kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi.
Milo: “Do ta nxjerrim biznesin nga kriza”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u takua me përfaqësues të biznesit fason në qytetin e Vlorës. Gjatë bashkëbisedimit me punëtorët e një prej fabrikave, Milo theksoi se Partia Demokracia Sociale në programin e saj ka parashikuar një strategji konkrete për të nxjerrë sektorin e biznesit nga kriza. ”Demokracia Sociale në programin e saj tashmë të shpallur, ka parashikuar marrjen e mjaft masave të cilat janë në shërbimin tuaj direkt. Demokracia Sociale së bashku me partnerët e saj ka parashikuar pas fitores dhe ardhjes në qeveri, se do të heq taksën e sheshtë, sepse neve e dimë ashtu siç është cilësuar nga ju ‘taksa e bukës së fëmijëve’, është shumë e rëndësishme për mirëqenien tuaj. Gjithashtu ne do të rimbursojmë në të ardhmen edhe TVSH-në dhe po kështu ne do të marrim një varg masash të tjera sociale, të cilat do të çojnë në rritjen e nivelit të jetesës”, - theksoi kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.
20 Qershor 2009