E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, akuza qeverisë për shkollën “Marubi” dhe krizën ekonomike



Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputetët e opozitës kanë hedhur akuza ndaj qeverisë për konfliktin e fundit për ambientet e shkollës kinematografike “Marubi”. Deputeti socialist Erion Braçe e ka cilësuar klientelist vendimin e qeverisë për të larguar nga ambientet e saj shkollën “Marubi”, ndërkohë që në ambientet e ish-Kinostudios qeveria ka lejuar të ushtrojnë aktivitetin e tyre disa kompani mediatike që mbrojnë interesat e qeverisë. Më tej, Braçe ka denoncuar dhe shkeljen e të drejtës së pronarëve, të cilëve u është njohur trualli në zonën e ish-Kinostudios dhe jo vetëm që nuk kanë marrë kompensim, por nuk kanë përfituar asnjë qindarkë nga qeveria.
“Qeveria e ka shndërruar në një territor tregtar, që keqpërdoret qëllimisht. Qeveria ka vendosur marrëdhënie klienteliste me operatorët që janë vendosur aty dhe një marrëdhënie të paligjshme me të zotët e tokës”, - është shprehur Braçe. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, hodhi poshtë akuzat e opozitës duke sqaruar se nga shkolla “Marubi” qeveria kërkon pagesën e qirasë së truallit të përdorur përtej kontratës me qeverinë. “Subjekti ka pasur të drejtën e përdorimit për 10 vjet për një ambient prej 200 m2, por ka pushtuar pa të drejtë 4000 m2. Në qoftë se subjektet e tjera e kanë liruar tokën e pushtuar që është tokë shtetërore dhe kanë paguar penalitetet për kohën e shfrytëzimit, “Marubi” nuk ka pranuar të respektojë ligjin”, - është shprehur Ruli. Më tej, gjatë seancës së djeshme, deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin se qeveria nuk po merr asnjë masë për përballimin e krizës ekonomike. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka ngritur me shqetësim përballimin e krizës ekonomike nga qeveria. Edhe deputeti i PS-së, Arben Malaj, u shpreh se qeveria nuk po tregon seriozitet në këtë çështje shumë të ndjeshme për vendin. Por ministri Bode hodhi poshtë pretendimet e opozitës për ekzistencën e krizës ekonomike në vend, duke bërë të ditur se Shqipëria ka një rritje ekonomike prej 5%. “Qeveria është e çoroditur. Kryeministri deklaron 12 % rritje ekonomike, ministri 5 %, ndërsa FMN-ja ka thënë 3.7 për qind. Ministrat tanë thonë që nuk ka krizë në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër qeveria po harxhon 8.5 milionë lekë për spote publicitare. Dhe kur qeveria investon për spote, do të thotë se jemi në krizë. Qeveria duhet të mbrohet nga kriza sepse ekonomia shqiptare po shteron burimet e saj”, - është shprehur ish-ministri i Ekonomisë, socialisti Arben Malaj.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›