Meta në Vlorë: “LSI-ja, partia e premtimeve të mbajtura dhe e punëve të mëdha”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim entuziast në qytetin e Vlorës, ku qindra qytetarë dhe qytetare vlonjate kanë marrë pjesë në takimin e zhvilluar në Pallatin e Sportit të këtij qyteti. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta tha se LSI-ja, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, është e vendosur të ndërtojë një Shqipëri pa papunësi, pa varfëri dhe polarizim social dhe me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai tha se LSI-ja synon të ndërtojë Shqipërinë e shtetit ligjor dhe kushtetutshmërisë, Shqipërinë pa korrupsion e pa Gërdec, Shqipërinë e rrugëve të shtruara, e tokave të punuara, e zhvillimit të shëndetësisë dhe arsimit, Shqipërinë e një rinie me shpresë për të ardhme, Shqipërinë e qytetarëve që lëvizin lirish dhe si të barabartë në botë, Shqipërinë e respektimit të pronës dhe Shqipërinë e premtimeve të mbajtura. Meta tha se këto sfida nuk do të mbeten më një ëndërr, sepse më 28 qershor shqiptarët do të votojnë për ndershmërinë, përkushtimin, kurajën, punën dhe veprimin. Ai tha se nuk e konsideronte veten një politikan që flet me fjalë të mëdha, por se ndihej krenar që është një politikan që mban fjalën e dhënë. Meta tha se LSI-ja është forca e premtimeve të mbajtura dhe e realizimit të punëve të mëdha, që i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë. “Unë nuk e konsideroj veten njeri të fjalëve të mëdha, por kam qenë, jam e do të jem njeri i fjalës së dhënë dhe i premtimeve të mbajtura, sepse besoj në forcën tonë të përbashkët, besoj në aftësitë dhe kapacitetet e shkëlqyera të mijëra shqiptarëve të aftë dhe të përkushtuar për të punuar për atdheun e tyre, sepse besoj në energjinë dhe pjekurinë e rinisë së shkëlqyer që kemi. Prandaj unë besoj se koha e fjalëve boshe dhe e premtimeve të pambajtura po mbaron e se më 28 qershor do të fillojë një kohë e re. Koha e punës dhe e veprave. Sepse është koha për veprim. Sepse LSI-ja është partia e premtimeve të mbajtura dhe e punëve të mëdha. Dhe unë jam i bindur se ne do ta fitojmë këtë sfidë”, - tha Meta.
10 Prill 2009