E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: 500 mijë zgjedhësve po u mohet e drejta e votës, urgjent kartat falas

Deputeti socialist, Blendi Klosi: “Procesi zgjedhor është në prag të dështimit”. Klosi akuzon qeverinë se ka shkelur afatin kontraktual për hapjen e qendrave të aplikimit

Luis Tanushi

Partia Socialiste deklaron se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë në rrezik. Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi, tha se rreth 500 mijë zgjedhës nuk janë të pajisur me karta dhe po privohen nga e drejta e votës. Ai tha se Partia Socialiste e ka ndjekur në rrugë operative këtë situatë. Klosi e quajti qeverinë “Berisha” dhe strukturat e saj si të paafta dhe të korruptuara. Deputeti socialist u shpreh se procesi zgjedhor po dështon dhe se i gjithë procesi i përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore po futet në kolaps. “Paratë e korrupsionit, të përfituara haptazi në procesin tenderues, e kanë bllokuar plotësisht qeverinë e Sali Berishës të ushtrojë detyrimin ligjor për kontrollin e përmbushjes së çdo detyrimi kontraktor nga kompania zbatuese e këtij procesi koncesionar, të paguar 100% nga qytetarët shqiptarë që po e blejnë shumë shtrenjtë dhe me shumë andralla këtë shërbim normal për një vend anëtar të NATO-s”, - tha Klosi.

Afatet

Sipas kontratës koncesionare, sistemi i aplikimit duhej të ishte ngritur 4 muaj pas lidhjes së kontratës në të gjithë Shqipërinë, pra më 21 nëntor 2009, ndërsa në dokumentin e tenderit ky afat ka qenë 3 muaj. Blendi Klosi tha se qeveria ka devijuar nga dokumenti i tenderit me 1 muaj dhe ka shkelur afatin e kontratës mbi 4 muaj. Ai tha se prodhimi i parë i kartës së identitetit duhej të ishte bërë 4 muaj nga lidhja e kontratës, pra më 20 dhjetor 2008, ndërkohë që ky prodhim u realizua vetëm më 10 shkurt 2009.
Sekretari Organizativ i PS-së u shpreh se në dokumentet e tenderit dhe të ofertës kanë qenë të parashikuara mbi 100 stacione të lëvizshme aplikimi, por deri sot ato nuk janë përdorur, duke ndikuar direkt mbi situatën. “Kjo është shkelje e hapur e kushteve të tenderit dhe e ligjit të koncesionit“, - tha Klosi. Sipas tij, u deshën tre muaj nga fillimi i procesit dhe dhjetëra kërkesa të opozitës që qeveria e paaftë të kuptonte se duhej që shërbimi t’u afrohej qytetarëve dhe në ditët e pushimit, ku e shtuna dhe e diela të ishin ditë pune. Klosi deklaroi se skema e rimbursimit në shtet, kryekëput informal, është e pamundur të bëhet. “Vetëm dje kryeministri, si të ishte Plaku i Vitit të Ri, si kryeministri i një qeverisjeje të plakur, nxori nga thesi një gënjeshtër tjetër elektorale”,- tha ai.
Zgjidhja
Nëpërmjet sekretarit të saj Organizativ, Partia Socialiste i ka kërkuar qeverisë që të nisë shpërndarjen falas të kartave. Ai i quajti çmimet e ofruara nga qeveria si shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme për shumë qytetarë. “Të paaftët qeveritarë përsëri vazhdojnë të ngatërrohen me lojën e kungulleshkës, ta bëjnë 2 mijë lekë apo ta bëjnë 3 mijë lekë kartën e identitetit, pa kuptuar akoma se ky është një shërbim që politika duhet t’ia ofrojë falas, pa asnjë pagesë, por edhe duke iu lutur qytetarit të varfër shqiptar”, - tha Klosi. Ai i kërkoi Parlamentit që në këtë muaj të fundit të tij dhe në këto 80 ditë që i kanë ngelur politikës së vjetër të Sali Berishës, të marrë një vendim të drejtë dhe të mirë, duke u dhënë qytetarëve shqiptarë të drejtën e votës falas.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›