Bejtja i PSD-së: “Posti i kryeministrit, në rast fitoreje, i takon PS-së”
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Engjëll Bejtja, deklaron se në rast të fitores së koalicionit të majtë, posti i kryeministrit duhet t’i takojë Partisë Socialiste. Por, teksa për Bejtjen kjo dilemë është e qartë, ai preferon ta cilësojë si të parakohshme çështjen se cila do të jetë hapësira qeverisëse që do të ketë PSD-ja. Sipas tij, shpërndarja e posteve nuk është çështje themelore për momentin. ”Secila parti do të kontribuojë me votat e saj dhe mbi këtë bazë do të bëhet edhe ndarja e posteve, ndërsa për kryeministrin është normale që t’i takojë asaj force që do të ketë numrin më të madh të deputetëve”, - shprehet ai. Deputeti socialdemokrat shprehet se koalicioni i majtë pritet të hyjë në zgjedhje me PS-në, PSD-në, PDS-në dhe G99-n. Ai pohon gjithashtu se ekziston mundësia që këtij koalicioni t’i bashkohet edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Përsa i përket programit elektoral me të cilin do të hyjë PSD-ja në zgjedhje, nënkryetari i PSD-së thotë se forcat e koalicionit të majtë, ku do bëjë pjesë edhe PSD-ja, do të kenë një program të përbashkët. “Për çështje themelore ne duhet të kemi ide dhe vizione të përbashkëta”, - vijon ai. Në lidhje me pikat bazë të programit, Betja shton se PSD-ja do të jetë këmbëngulëse, sidomos për ato çështje themelore që kanë të bëjnë me ngritjen e shtetit ligjor, të cilat nënkuptojnë: forcimin e institucioneve dhe konturimim më të qartë të pavarësisë së pushteteve, respektim të Kushtetutës dhe luftën kundër korrupsionit. “Ne nuk do ta përdorim korrupsionin si një kartë elektorale, por do ta përdorim si mjet për t’i dhënë shtysë zhvillimit të vendit, sepse vendi për këtë ka nevojë”, - tha Bejtja.
Për arritjen e një marrëveshjeje të shkruar të partive për koalicionin e ardhshëm ai u shpreh se është ende shpejt dhe do të bëhet në një datë afër kufirit ligjor që Kodi Zgjedhor ka vendosur. Bejtja ngriti shqetësimin për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, duke e vënë theksin te pajisja falas e qytetarëve me karta identiteti.
10 Prill 2009