E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Koha të kthejmë kokën nga arsimi profesional

TIRANE - Ministri Erjon Veliaj ka apeluar prindërit shqiptarë të investojnë për fëmijët e tyre në arsimin profesional. Thirrja e ministrit Veliaj u bë gjatë inspektimit që kreu në shkollën e mesme profesionale Hoteleri-Turizëm në Tiranë, ku deklaroi se ka ardhur koha që qeveria e re të kthejë kokën nga arsimi profesional. Ai u premtoi nxënësve ndërmarrjen e disa nismave në ditët në vijim për arsimin profesional.

“Apeli për prindërit shqiptarë është, konsideroni tu jepni fëmijëve një zanat. Gjëja tjetër që duhet të bëjmë është që të orjentojmë një pjesë më të madhe të buxhetit të arsimit drejt arsimit profesional. Do të fillojmë menjëherë implementimin e sistemit dual gjerman. Tu krijojmë mundësinë shkollave për vetëfinancim. Do të paraqesim ndryshimet ligjore. Për ta bërë më atraktiv arsimin profesional do të bëjmë ndryshime ligjore dhe në mënyrën se si financohet por dhe në mënyrën dhe filozofinë se si funksionon. Eshtë vetëm momenti që qeveria shqiptare të kthejë kokën tek arsimi profesional.”- u shpreh Veliaj.

Sipas drejtoreshës së shkollës, Flutura Vaqarri, këtë vit shkollor ka pasur rritje të kërkesave për regjistrime në arsimin profesional. Ndërsa nxënësit që përthithen me shpejt nga tregu i punës janë ata të drejtimit Hoteleri-Turizëm.

“Sivjet ka një fluks të jashtëzakonshëm regjistrimesh dhe kërkesash, sa që shkolla nuk ka mundësi ta përballojë. Eshtë me kapacitet të plotë në dy turne, paradite dhe pasdite, për shkak të këtyre kërkesave. Drejtimi hoteleri-turizëm është tregu i cili përthith më shumë nxënësit e kësaj dege. Kemi pak probleme me drejtimin tjetër teknologji ushqimore, sepse bizneset nuk na janë ofruar shumë.”- deklaroi Vaqarri.

Kjo shkollë për shkak të fluksit të lartë të regjistrimeve zhvillon mësim me dy turne, ndërsa përgatitja profesionale e nxënësve nga viti në vit njeh rritje.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›