E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Nano dhe Berisha e kthyen Shqipërinë në kazino

G99-a ka mbajtur dje konventën e saj të parë kombëtare, ku ka prezantuar kandidatët dhe programin


Pavarësisht se një forcë e re politike, G99-a, duket se i është futur seriozisht politikës dhe ka synime të qarta për garën e ardhshme elektorale, ku synon të nxjerrë jo pak, por 7 deputetë.


Për të qenë më të organizuar, por edhe për të përcjellë tek qytetarët ekipin dhe programin e saj politik, G99-a ka mbajtur dje konventën e saj të parë kombëtare.


Nën ritmet e një prej këngëve të Alban Skënderajt, kjo forcë politike ka bërë prezantimin individual të të gjithë kandidatëve të saj për deputetë, të cilët gjatë fushatës zgjedhore që pritet të hapet zyrtarisht pas 4 ditësh, do të përcjellin tek shqiptarët alternativën e re që ajo përfaqëson në politikën shqiptare.


Pas fjalës së secilit kandidat, konventën e përshëndeti edhe lideri i kësaj lëvizjeje, Erjon Veliaj, i cili theksoi se kjo ditë është historike për lëvizjen e re që do të sfidojë politikën e vjetër të Nanos e Berishës.


Ai nuk ka lënë pa atakuar ata si binomin e një politike të vjetër që ka mbajtur Shqipërinë peng në këto 18 vite demokraci dhe që ende përpiqet që të mashtrojë shqiptarët me pseudoarritjet e tyre. "Shqipëria nuk është një ruletë, tavoline bixhozi, ku mund të hidhni gurët kur ju teket.


Ne kemi një Kryeministër-mjek dhe askush nuk guxon të kurohet në spitalet shqiptare. Kishim një Kryeministër ekonomist dhe prishte lekët e veta dhe të shqiptarëve nëpër kazino.


Kjo është shfaqja më e mirë asaj që dinë të bëjnë këta dy njerëz", - u shpreh Veliaj. Prandaj, ka theksuar ai, është koha për një ndryshim të vërtetë, për t'i dhënë kësaj politike të vjetër përgjigjen e duhur nëpërmjet votës ndëshkuese.


"Më 28 qershor ne dhe të gjithë shqiptarët duhet të përqafojnë ndryshimin që t'i tregojmë Nanos dhe Berishës se ne e duam shumë Shqipërinë që ta lëmë në duart e tyre", - tha Veliaj.


Ndërkohë, duke iu referuar ekipit të kandidatëve, me të cilët kjo lëvizje do të garojë në zgjedhjet e qershorit, Veliaj i ka vlerësuara ata si njerëz që kanë vetëm një qëllim: t'i japin fund tranzicionit të tejzgjatur. Gjithashtu, ai ka theksuar se arsimi, punësimi dhe votat e emigrantëve janë tri pikat kryesore të programit që kjo forcë ka hartuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›