Zgjedhjet, paratë që marrin partitë
TIRANË- Përfundimi i procesit të regjistrimit të listave të zgjedhësve prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shënon dhe momentin e lëvrimit të fondit prej 65 milionë lekësh, që shteti ka vënë në dispozicion për të gjitha partitë që kanë shprehur interes të garojnë në to.
Dy forcat e mëdha politike, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, pritet të marrin dhe pjesën e "luanit", ose thënë ndryshe, afërsisht gjysmën e gjithë këtij fondi.
Kjo falë zbërthimit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri disa ditë më parë nenit 86 të Kodit Zgjedhor, duke përcaktuar dhe formulën përkatëse ku, natyrshëm, dy partitë e mëdha favorizohen ndjeshëm.
Në ndryshim nga përcaktimi që bën Kodi, udhëzimi i miratuar prej KQZ-së llogarit ndarjen e kësaj shume në dy pjesë dhe përkatësisht gjysmën e saj në bazë të mandateve të deputetit që ka marrë secila forcë parlamentare në zgjedhjet pararendëse, pra të 2005-ës dhe gjysmën tjetër në bazë të numrit të votave që ka marrë secila prej këtyre forcave në këto zgjedhje.
Të mëdhenjtë
Partia Demokratike, si forca kryesore qeverisëse në vend, në bazë të kësaj formule arrin të sigurojë një buxhet prej 15.5 milionë lekë të rinj, ose thënë ndryshe, afërsisht ¼ e të gjithë fondit që buxheti i shtetit ka përcaktuar për partitë politike.
Demokratët janë të favorizuar vetëm nga ndarja e 50 përqindëshit të parë dhe kjo për shkak të numrit më të madh të mandateve, me të cilët përfaqësohet në Kuvendin aktual.
Duke llogaritur se një forcë politike, për një mandat deputeti që ka në Parlament merr 232 mijë lekë, del se PD-ja vetëm për gjysmën e parë të këtij fondi merr plot 13 milionë lekë.
Ndërsa nga gjysma e dytë e fondit të plotë, ajo është e disfavorizuar, për shkak të efekteve që dha skema e Dushkut të zgjedhjeve 2005, ku votat proporcionale i adresoi tek aleatët e saj, duke i fryrë ata artificialisht.
Sipas rezultateve të shpallura të KQZ-së, PD-ja, në zgjedhjet e shkuara parlamentare ka arritur të marrë vota si subjekt zgjedhor vetëm 104.796 vota, ç'ka bën që, nga gjysma e dytë e fondit të partive politike, të marrë 2.5 milionë lekë.
E disfavorizuar në këtë situatë gjendet Partia Socialiste, e cila në total arrin të marrë 12.7 milionë lekë të rinj, nga të cilat 9.8 nga numri i mandateve që ka në Kuvend dhe 2.9 nga numri i votave që ka marrë si subjekt zgjedhor në garën e shkuar parlamentare të 3 korrikut 2005.
Edhe PS-ja, ashtu si PD-ja është e vetëpenalizuar, për shkak të votave që në zgjedhjet e 3 korrikut adresoi tek aleatët e vet, të cilët në disa raste, pas zgjedhjeve u bënë kundërshtarë, siç është rasti i PAA-së dhe PAD-së. Si pasojë, PS-ja, në zgjedhjet e shkuara mundi të marrë vetëm 121 mijë vota, duke u renditur forca e tretë në vend, pas PR-së dhe PSD-së.
Të vegjlit
Falë sistemit të Dushkut që u praktikua hapur në zgjedhjet e korrikut 2005, të gjitha partitë e vogla do të arrijnë që të përfitojnë një pjesë të mirë të fondit që Buxheti i Shtetit ka përcaktuar për të gjitha partitë politike, që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit.
Kështu, dy nga forcat që favorizohen më ndjeshëm nga ai sistem jo i drejtë janë Partia Republikane dhe Partia Socialdemokrate, të cilat përfituan më shumë nga të gjitha forcat e tjera politike, nga mbështetja që dhanë dy partitë e mëdha.
Republikanët përfitojnë dhe buxhetin më të madh nga formula që përcakton pika e dytë e udhëzimit të KQZ-së, pasi ka marrë 272 mijë vota, duke u renditur forca e parë në vend, pavarësisht se nuk arriti të marrë asnjë mandat deputeti në mënyrë të drejtpërdrejtë në mazhoritar.
Duke shumëzuar numrin e përgjithshëm të votave, që kjo forcë politike ka marrë, me shumën prej 24 lekësh që vlen një votë, PR-ja do të marrë 6.6 milionë lekë vetëm nga ndarja e gjysmës së fondit të miratuar disa ditë më parë nga Kuvendi.
Kësaj shume do t'i shtohen edhe 2.6 milionë lekë që PR-ja përfiton nga pjesa tjetër që ndahet për mandatet që ajo zotëron në Kuvend, pra në total 9.2 milionë lekë.
Pas saj renditet PSD-ja, e cila edhe ajo, si PR-ja, falë mbështetjes që dha PS-ja, ka marrë 174 mijë vota, ç'ka e përkthyer në lekë do të thotë që, nga ndarja e gjysmës së fondit prej 65 milionë lekësh, arrin të marrë 4.2 milionë lekë. Duke i shtuar kësaj shume dhe 1.6 milionë që ajo përfiton nga ndarja e mandateve, PSD-ja merr në total 5.8 milionë lekë.
Shuma më të vogla marrin forcat e tjera politike parlamentare, megjithëse të gjitha, me përjashtim të LSI-së dhe PBDNJ-së përfitojnë nga sistemi i Dushkut që u zbatua 4 vjet më parë.
Ndërkohë që KQZ-ja është treguar e pamëshirshme për të gjitha forcat e tjera politike që nuk zotërojnë një mandat në Parlament. Të gjitha këto forca janë përjashtuar nga shpërndarja e fondit që shteti ka vënë në dispozicion për partitë në këto zgjedhje.
Ndarja e 50%-shit të parë të fondit
Formula: 32.500.000 lekë (50%) / 140 mandate = 232.142 lekë/mandate
1.PD: 56 mandate X 232,000 lekë = 13 milionë lekë
2. PS: 42 mandate X 232,000 lekë = 9.8 milionë lekë
3. PR: 11 mandate X 232,000 lekë = 2.6 milionë lekë
4. PSD: 7 mandate X 232,000 lekë = 1.6 milionë lekë
5. LSI: 5 mandate X 232,000 lekë = 1.2 milionë lekë
6. PDr: 4 mandate X 232,000 lekë = 0.9 milionë lekë
7. PAA: 4 mandate X 232,000 lekë = 0.9 milionë lekë
8. PAD: 3 mandate X 232,000 lekë = 0.7 milionë lekë
9. PBDNJ: 2 mandate X 232,000 lekë = 0.5 milionë lekë
10. PDK: 2 mandate X 232,000 lekë = 0.5 milionë lekë
11. PDS: 2 mandate X 232,000 lekë = 0.5 milionë lekë
12. PBDL:1 mandat X 232,000 lekë = 0.2 milionë lekë
Ndarja e 50 %-shit të dytë të fondit
Formula: 32.500.000 lekë pjesëtuar me 1.366.226 vota = 24 lekë/vota
PD: 24 lekë/vota X 104,796 = 2.5 milionë lekë
PS: 24 lekë/vota X121,412 = 2.9 milionë lekë
PR: 24 lekë/vota X 272,746 = 6.6 milionë lekë
PSD: 24 lekë/vota X 174,103 = 4.2 milionë lekë
LSI: 24 lekë/vota X 114,798 = 2.8 milionë lekë
PDr: 24 lekë/vota X 101,373 = 2.4 milionë lekë
PAA: 24 lekë/vota X 89,635 = 2.2 milionë lekë
PAD: 24 lekë/vota X 65,093 = 1.6 milionë lekë
PBDNJ: 24 lekë/vota X 56,403 = 1.4 milionë lekë
PDK: 24 lekë/vota X 44,576 = 1.1 milionë lekë
PDS: 24 lekë/vota X 57,998 = 1.4 milionë lekë
Në total
PD: 13 + 2.5 = 15.5 milionë lekë
PS: 9.8 + 2.9 = 12.7 milionë lekë
PR: 2.6 + 6.6 = 9.2 milionë lekë
PSD: 1.6 + 4.2 = 5.8 milionë lekë
LSI: 1.2 + 2.8 = 4 milionë lekë
PDr: 0.9 + 2.4 = 3.3 milionë lekë
PAA: 0.9 + 2.2 = 3.1 milionë lekë
PAD: 0.7 + 1.6 = 2.3 milionë lekë
PBDNJ: 0.5 +1.4 = 1.9 milionë lekë
PDK: 0.5 + 1.1 = 1.5 milionë lekë
PDS: 0.5 + 1.4 = 1.9 milionë lekë