Diplomacia greke: Rëndësi për Omonian ka uniteti
Zv-Ministri i Jashtëm grek nuk ka pranuar të ndërhyjë në vendimet politike të PBDNJ-së
GJIROKASTËR- Diplomacia greke distancohet nga vendimet e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet zëvendës-Ministri i Jashtëm grek Theodhoros Kasimis në deklaratat e tij politike, gjatë vizitës së zhvilluar në Gjirokastër.
Pavarësisht se ka përdorur një gjuhë diplomatike, në përgjigjet e dhëna për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri, Kasimis ka pohuar se do të jetë minoriteti grek, ai që do të japë vendimin e duhur. Në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, diplomati grek është shprehur se këto janë çështje të brendshme të shtetit dhe popullit shqiptar.
Ndërkohë, në lidhje me vendimin e Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, për të hyrë në koalicion me Partinë Socialiste, ç'ka solli edhe largimin e dy eksponentëve të rëndësishëm të kësaj force politike dhe organizatës OMONIA, zv/ministri i jashtëm grek ka vënë në pah faktin se vendimi do të merret nga komuniteti grek në jug të vendit. " Ne jemi të interesuar për unitet brenda minoritetit grek.
Padyshim që Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut është një parti politike e mund të bëjë zgjedhjet e zgjidhjet e veta, por se çfarë do zgjedhë minoriteti vendosin anëtarët e tij. Ne do të mbështesim si minoritetin ashtu edhe zgjedhjet që do të bëjë ai",- është shprehur Kasimis.
Deklaratat u bënë gjatë një vizite të kryer në rrethin e Gjirokastrës, ku zv-Ministri i Jashtëm ka marrë pjesë në ceremonitë e përurimit të një sërë veprash publike, të rikonstruktuara me fondet e dhëna nga Ministria e Jashtme Greke.
Janë gjithsej 36 grante të vogla në rrethet e Gjirokastrës e Sarandës, kryesisht në rikonstruksionin e rrugëve, urave e ujësjellësve, që kapin shifrën e rreth 600 mijë eurove.
Ndërkaq Kasimis ka deklaruar se marrëdhëniet shqiptaro- greke janë në momentin më të mirë të 10 viteve të fundit dhe ka vlerësuar mjaft edhe rolin që minoriteti grek ka dhënë në forcimin e këtyre lidhjeve dhe bashkëpunimit.
Gjatë vizitës, ai ka qenë i shoqëruar nga ambasadori grek në Tiranë Nikolaos Pazios dhe konsulli i këtij shteti në Gjirokastër Joanis Rizopullos, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli si dhe prefekti i qarkut, një ndër ish- figurat më të rëndësishme të PBDNJ-së dhe OMONIA-s, tashmë kandidat i Partisë Demokratike në qarkun e Gjirokastrës, Spiro Ksera.
Në muajin janar të këtij viti, në ceremoninë e 18-vjetorit të themelimit të organizatës së minoritetit grek OMONIA, zëvendësministri i jashtëm grek, Theodhoros Kasimis ka kërkuar unitet ndërmjet minoritarëve, si një nga mënyrat për të qenë sa më të fuqishëm.