SHBA: Zgjedhjet duhet të jenë të ndershme
Ambasadori amerikan Xhon Uidhers ka kërkuar nga Berati që qytetarët të pajisen me karta identiteti
BERAT- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers ka zhvilluar dje një vizitë në qytetin e Beratit, ku nuk ka anashkaluar nga vëmendja e tij edhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Fillimisht, ai është takuar me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, e më pas me prefektin Thoma Rumniçi dhe stafin drejtues të këtij institucioni.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori amerikan është ndalur
tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që pritet të mbahen më 28 Qershor.
Ai i ka cilësuar këto zgjedhje si një proçes shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Beratin, por për të gjithë Shqipërinë."Ajo për të cilën janë të interesuar amerikanët, është rezultati i këtyre zgjedhjeve",- tha ai.
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Uidhers ka kërkuar që standardet e këtij proçesi të jenë më të larta se ato të zgjedhjeve të mëparshme të zhvilluara në Shqipëri.
Gjithashtu ambasadori amerikan tha se është mjaft e rëndësishme, që këto zgjedhje të jenë të ndershme dhe transparente dhe, për këtë kërkohet pajisja e të gjithë shtetasve me karta identiteti, brenda datës 28 Qershor.
Pyetjes në lidhje me transparencën e listave të partive kryesore politike pranë KQZ-së, Uidhers i është përgjigjur se, "është e drejta e çdo partie politike të paraqesë në këto lista kandidatët e saj më të mirë dhe stafet e ngritura për monitorimin e zgjedhjeve, do të kenë akses të kontrollojnë të gjithë procesin zgjedhor, për të cilin shpresojmë të jetë transparent dhe i ndershëm".
Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kërkesa kryesore e ndërkombëtarëve ndaj partive politike në vend. Mbarëvajtja e zgjedhjeve sipas standardeve do të jetë një pikë e fortë për Shqipërinë edhe për të ardhmen e saj në strukturat e BE-së.
Madje, zgjedhjet për ndërkombëtarët janë konsideruar edhe një gur prove për Shqipërinë, pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO.