Veliaj: Rama kryeministër- një nevojë kombëtare
Erion Veliaj, koordinator pranë Partisë Socialiste, në një intervistë për të përditshmen Shqip ka thënë se qeveria është bërë pengesë për integrimin ndaj vendit i duhet një ofertë tjetër. Veliaj tha se kjo ofertë është Rama kryeministër.
E para, edhe pse qeverisë i është refuzuar statusi kandidat njëherë, dhe kjo mund të ndodhë prapë këtë vit, nuk është qeveria ajo që vuan pasojat. A e keni vënë re se sa më të pazhvilluar dhe pa integruar të jenë vendet, aq më mirë jetojnë qeveritarët. Ndaj, qeveria nuk ka asnjë incentivë të integrohet apriori, përveçse po të kishte një ndjenjë devocioni ndaj vendit apo kërcënim nga vota e kjo e sotmja as devocion e as zgjedhje të lira nuk ofron. Raporti duhet pritur me një pyetje; kush po bëhet gur pengese që ne të hyjmë në Europë? Kush po bëhet pengesë për zgjedhje të lira, ekonomi konkurruese, hetime të suksesshme, media të pavarur, administratë profesionale? Nëse qeveria jonë është bërë pengesë, është bërë barrë, është bërë problem, na duhet një ofertë tjetër. Kjo ofertë ekziston, e po bëhet çdo ditë nevojë kombëtare. Rama Kryeministër dhe Shqipëria kandidat për BE- në 2013 janë zgjidhja për kohën e humbur, tha Veliaj.
Ai shpjegoi edhe projektin e ri të opozitës, duke u ndaluar sidomos tek vota e emigrantëve.
Grupet e ekspertëve tanë po punojnë për një paketë të detajuar për reformë në Parlament, institucione, zgjedhje dhe ekonomi. Kjo dëshmon sërish se kush ofron zgjidhje e kush bllokim, kush ofron alternativa e kush llogorizim të shoqërisë. Disa prej këtyre iniciativave po prezantohen këto ditë në Parlament. Unë personalisht kam ndjekur me pasion një ide që e gjykoj të vonuar, por tejet të dobishme votën e emigrantëve. Kur ekonomia është në krizë, dhe i vetmi serum kanë qenë të ardhurat e emigrantëve, kur turizmi është asfiksuar dhe e vetmja garanci është bërë rikthimi i shqiptarëve në verë, kur investimet kanë cekur fundin dhe e vetmja shpresë janë kursimet e ri-investuara në Shqipëri të emigrantëve atëherë mundësimi i votës së tyre duhet të ndodhë sa më parë. Në 2008-n, PD rrëzoi propozimin tonë në Komisionin e Ligjeve për ta mundësuar këtë projekt. Nëse gjykojnë se zgjedhjet vidhen më kollaj vetëm me votuesit që mund të kontrollohen/intimidohen këtu në Shqipëri, kjo është veçse dritëshkurtësi. Kushtetuta e garanton, financat e përballojnë dhe koha e kërkon. Ndaj për mbi 1 milion shqiptarë që jetojnë jashtë e që janë aksionerë të ekonomisë e familjeve tona, ka ardhur koha tu mundësojmë vendimmarrjen për shtëpinë tonë të përbashkët. Po, kjo do jetë një nga nismat tona, tha Veliaj.