Veliaj: “Vota për G99-n i jep fund tranzicionit në Shqipëri”
Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, ka zhvilluar një tur takimesh elektorale në qytetin e Lushnjës dhe atë të Fierit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Veliaj ka theksuar se vota për G99-n në zgjedhjet e 28 qershorit është një votë që do të shërbejë për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri si dhe do të mundësojë që të rinjtë të jenë në krye të vendit. “Duke votuar për G99-n njerëzit votojnë njëkohësisht për dy oferta. E para për t’i dhënë fund tranzicionit dhe e dyta për të mundësuar ardhjen e të rinjve në krye të vendit”, - tha Veliaj. Kryetari i G99-s komentoi fluksin e emigrantëve shqiptarë, të cilët po vijnë në Shqipëri për të votuar, duke thënë se kjo është shprehje e dëshirës së madhe të shqiptarëve për të ndryshuar vendin. “Vetëm sot kanë ardhur mijëra emigrantë, sepse duan që Shqipëria të ndryshojë”, - tha Veliaj.
Gjinushi: “Qeverisja me PSD-në është një qeverisje antikorrupsion”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka mbyllur fushatën elektorale në qarkun e Elbasanit me një takim të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të PSD-së në këtë qytet. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Gjinushi ka theksuar se PSD-ja do të jetë garante që qeveria e ardhshme të jetë një qeveri antikorrupsion. “Partia Socialdemokrate premton që me fitoren e qershorit, së pari, ne do të vendosim drejtësi, do të vendosim ligjin, do të vendosim kushtetutshmërinë e vendit, ndryshe nga përvoja e këtyre 4 vjetëve. Ne kemi të drejtën morale që t’u themi shqiptarëve që një qeveri me PSD-në është një qeveri antikorrupsion, është një qeveri që garanton mirëpërdorimin e fondeve publike. PSD-ja ka treguar se e lufton korrupsionin dhe kur është pjesë e pushtetit dhe kur është në opozitë”, - tha Gjinushi.
Milo: “Më 28 qershor fiton koalicioni ‘Bashkimi për ndryshim’”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, së bashku me kryesuesin e listës së kandidatëve për deputetë të qarkut të Gjirokastrës, Asim Peta, zhvilloi takime me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale në Këlcyrë të rrethit të Përmetit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo ftoi të gjithë shqiptarët që të votojnë për PDS-në në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që shprehu bindjen në fitoren e padiskutueshme të koalicionit “Bashkimi për ndryshim”. “Ne jemi të sigurt që do të fitojmë sepse kemi mbështetjen tuaj të fuqishme, këtu në qarkun e Gjirokastrës nuk diskutohet që fitorja do t’i përkasë koalicionit ‘Bashkimi për ndryshim’, do t’i përkasë PDS-së, sepse me ne është e drejta, është shumica e shqiptarëve, dhe unë dhe njëherë tjetër ju bëj thirrje se duke votuar për PDS-në, të votoni numrin 30 se keni votuar garanci për qeverisje moderne europiane të Shqipërisë”, - tha Milo.
25 Qershor 2009