E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllazërimi pajtohet me rënien nga liga

Synimet e kryesisë së re janë që Vëllazërimi të vazhdojë garat e mbetura të pjesës pranverore të ligës së parë futbollistike dhe në ndërkohë të ndërtojë strategji që me forcat e reja, vitin e ardhshëm të pretendojnë kthimin e serishëm në elitën e futbollit.
Kërcovë, 24 janar - Që nga data 20 janari, ekipi i Vëllazërimit në stadiumin e vet i ka filluar përgatitjet për pjesën pranverore të garave, por tanimë jo me ambicie për të mbetur në ligë, sepse sipas të gjitha gjasave klubi kërcovar në vitin që vjen do të zbresë në nivelin e ligës së dytë të garimit. Edhe synimet e kryesisë së re janë që Vëllazërimi të vazhdojë garat e mbetura të pjesës pranverore të kampionatit të ligës së parë futbollistike dhe në ndërkohë të ndërtojë strategji që me forcat e reja, të lojtarëve të rinj, vitin e ardhshëm të pretendojnë kthimin e serishëm në elitën e futbollit. Trajneri Nazmi Ajdini nga kryesia e re është angazhuar që të udhëheqë ekipin, por pa ndonjë obligim për të mbrojtur me cdo kusht statusin e ligës së parë. "Stërvitjet i kemi filluar para disa ditësh, dhe në grumbullimin stërvitor kam punuar me 18 futbollistë. Pjesa dërmuese e tyre janë talente të rinj, por në ndërkohë ekipit tonë iu janë bashkangjitur edhe lojtarë të tjerë, që kanë ardhur nga klube të ndryshme të Maqedonisë", thotë Ajdini. Ai gjithashtu njoftoi se gjatë këtyre ditëve ekipit të tij do t'i bashkëngjiten edhe katër lojtarë të rinj, por nuk i zbuloi emrat e tyre. Duhet theksuar se në seancat stërvitore nuk janë paraqitur lojtarët, të cilët llogariten si të larguar nga klubi, Davitkovi, Kolevi, Novakovi dhe Cuculi, i cili para disa ditëve kaloi në ekipin e Shkëndisë të Tetovës. Sipas informacioneve të pakonfirmuara, është e mundur që në radhët e Vëllazërimit të kthehet Novakovi, i cili akoma nuk e ka gjetur klubin e ri.

Shaban DALIPI

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›