Vëllaznimi merr pikë të plota në Prizren

Vëllaznimi të shtunën e ka shënuar fitoren e parë në stinorin e ri, pasi në Prizren e mposhti rivalin e vjetër, Lirinë, me rezultat minimal 0:1, në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll.
Hero i skuadrës gjakovare në këtë takim ishte kapiteni i saj Atdhe Gashi, i cili në minutën e 19-të e shënoi golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij, pasi mirë u shërbye nga Fatih Karahoda.
Me këtë fitore, kuqezinjtë janë ngjitur në kuotën e katër pikëve pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Sivjet Vëllaznimi është kandidat serioz për tu stolisur me titull të kampionit, të cilin trofe e duan edhe Prishtina, Hysi e Trepça ’89.
Kurse, mbetja në elitë është prioriteti i Lirisë, e cila e pësoi humbjen e dytë në këtë stinor.
Drenica – Drita1:1
Drenica sërish ka barazuar para shikuesve të vet. Kuqezinjtë nuk kanë mundur të fitojnë më shumë sesa një pikë në duel me Dritën, sepse përballja mes tyre ka përfunduar me rezultat 1:1.
Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 në minutën e 20-të me golin që e shënoi nga penaltia Taulant Dajaku.
Por, Armend Kastrati shënoi për Dritën në minutën e 37-të për rezultat 1:1, dhe ky ishte epilogu përfundimtar i këtij takimi, pasi deri në fund skuadrat nuk ia dolën të shënojnë edhe ndonjë gol tjetër.
KEK-u – Lepenci0:2
Lepenci e ka shënuar fitoren e dytë në këtë kampionat. Kaçanikasit të shtunën i fituan tri pikë tjera të rëndësishme pasi në Kastriot e mposhtën KEK-un me rezultat 0:2.
Mysafirët kaluan në avantazh prej 0:1 në minutën e 14-të me golin që e shënoi nga penaltia Florim Berisha.
Kurse, në minutën e 78-të Lepenci shënoi edhe njëherë nëpërmjet kapitenit Xhevdet Shabani për rezultat përfundimtar, 0:2.