E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllaznimi, në gjysmëfinale të Kupës

Vëllaznimi i Gjakovës është skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Kosovës në futboll, pas Lirisë, Besës dhe Gjilanit.

Gjakovarët të enjten kanë triumfuar në çerekfinale ndaj Drenicës në Skenderaj, pas penaltive me rezultat 5:4.

Të dyja ekipet i kanë kryer vetëm gjuajtjet e penaltive, ashtu siç ka vendosur Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ekzekutimi i penaltive u bë si vazhdim i ndeshjes të së dielës, kur Vëllaznimi kishte humbur me rezultat 2:1 pas lojës shtesë 2x15 minuta, që në realitet rezultati përfundimtar ishte 2:2, duke e pasur parasysh edhe fitoren e Vëllaznimit në ndeshjen e parë ndaj Drenicës me rezultat 1:0.

Çerekfinalen Vëllaznimit ia siguruan Gjeraj, Sërmaxhaj, Podrimaj, Dajku dhe Kasapi, të cilët janë treguar të saktë nga pika e bardhë, derisa kanë dështuar të shënojnë Efendiu e Hasani.

Kurse për Drenicën golat nga pika e bardhë i kanë realizuar Hajdari, Geci, Gashi dhe Limani, ndërkaq dështuan të shënojnë Haliti, Lushtaku e Jashari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›