E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllaznimi s’ka vend për gabime

Të dielën do të zhvillohet xhiroja e 28-të e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje interesante. Ballafaqim i tillë do të zhvillohet në Gjakovë, ku Vëllaznimi i rrezikuar do të përballet me Prishtinën, e cila po mendon të ngjitet sa më lart që është e mundshme në tabelën e klasifikimit.

Kuqezinjtë aktualisht gjenden në vendin e dhjetë në tabelë më 28 pikë të tubuara, pozitë kjo që dërgon në ndeshje barazhi. Andaj gjakovarët synojnë ta mposhtin ekipin kryeqytetas për të qëndruar në këtë pozitë, pasi kanë vetëm tri pikë më shumë sesa Kosova (V), e cila po mundohet t’ia rrëmbejë këtë vend ekipit kuq e zi.

“Prishtina ka ekip cilësor dhe kemi respekt për këtë skuadër. Por, ne duam ta mbajmë këtë pozitë, e cila na jep shpresa të mëdha për të mbetur në Superligë. Për ta arritur këtë objektiv, ne duhet të fitojmë pikë, andaj tri pikët e këtij takimi besoj se do të mbesin në Gjakovë”, deklaroi për Express trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

Kurse Prishtina aktualisht gjendet në vendin e pestë në tabelë me 42 pikë, tetë më pak sesa kryesuesi Trepça. Andaj bardhekaltrit synojnë ta mposhtin Vëllaznimin për t’iu afruar sa më shumë ekipit mitrovicas. Por, për prishtinasit i favorshëm do të ishte edhe një barazim eventual nga kjo përballje.

“Do ta kemi vështirë përballë Vëllaznimit, kur e kemi parasysh pozitën e gjakovarëve në tabelë. Mirëpo, ne në çdo ndeshje hyjmë me synime të njëjta. Edhe në këtë takim do të hyjmë për të luajtur sa më mirë dhe për ta nxjerrë një rezultat sa më pozitiv. Kjo do të thotë se përveç fitores, do të ishim të kënaqur edhe me një barazim”, tha trajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi, i cili shpreson që ekipi i tij të mirëpritet në këtë takim nga gjakovarët.

Udhëtim i vështirë e pret edhe liderin Trepça, që do të jetë mysafire e Gjilanit, ekip ky që gjendet në vendin e fundit në tabelë, por me shpresat gjallë ende për të mbetur në elitë. Andaj gjilanasit do të përpiqen t’i fitojnë tri pikë të plota përballë mitrovicasve.

Superliga – Xhiroja e 28-të
E diel
Hysi – Ferizaj
Liria – KEK-u
Flamurtari – Besa
Vëllaznimi – Prishtina
Kosova (V) – Drenica
Gjilani – Trepça
Të gjitha ndeshjet nisin në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›