Vëllezërit vrasin me thikë adoleshentin
Jeton Ferhati mbeti i vdekur pasi u qëllua dy herë me thikë në zemër dhe në brinjë në Laprakë
Policia shpall në kërkim autorët e dyshuar të krimit, Elvis dhe Ervin Meta me akuzën e vrasjes në bashkëpunim
TIRANË- Vëllezërit ekzekutojnë me thikë një djalë 18- vjeçar pas një sherri për ecjen me shpejtësi me motor nga autorët. Policia shpall në kërkim të dyshuarit me akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim.
Jeton Ferhati, 18 vjeç, banues në Bathore, mbeti vdekur dje paradite rreth orës 11:30, në rrugën e Durrësit, pranë pallateve "Havai", pasi u qëllua dy herë me thikë, në brinjë dhe në zemër pas një konflikti që ka patur me dy vëllezërit Elvis e Ervin Meta, 24 dhe 22 vjeç. Ferhati ka mbetur i plagosur rëndë dhe sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak, i riu ka ndërruar jetë.
Dy vëllezërit që goditën me thikë 18- vjeçarin duke i shkaktuar vdekjen, janë identifikuar dje vetëm disa orë pas ngjarjes së rëndë, nga dëshmitë dhe hetimi i kryer nga oficerët e hetimit të zyrës së vrasjeve pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Dy autorët e dyshuar të krimit të rëndë janë shpallur në kërkim, me akuzën e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim. Ngjarja e rëndë ndodhi dje gjatë paradites rreth orës 11:00 në Laprakë, në vendin e quajtur pallatet "Havai", pranë kryqëzimit të rrugës së spitalit ushtarak.
i dëmtuari ka qenë duke qëndruar në një lokal me disa shokë të tij, kur e ka thirrur kamerieri i lokalit i cili i ka pohuar se e kërkonin dy djem jashtë në rrugë. Sapo viktima ka dalë në rrugë, ndaj tij kanë nisur goditjet, nga vëllezërit të cilët e kanë qëlluar në brinjë dhe në zemër, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Autorët sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, u larguan me një motoçikletë, në drejtim të Laprakës, për t'u larguar më pas në drejtim të Bathores. I dëmtuari është dërguar me urgjencë në drejtim të spitalit ushtarak, por plagët e marra me thikë kanë qenë tepër të rënda, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme të riut nga Bathorja.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa ka shoqëruar disa persona, në cilësinë e dëshmitarëve okularë. Ndërkaq, veç tyre, policia ka shoqëruar pronarin e lokalit ku ndodhej i dëmtuari përpara se të ndodhte ngjarja, për të treguar rrethanat përpara ngjarjes dhe informacione të tjera të mundshme që mund të kishte.
Për të zbardhur ngjarjen është formuar një grup hetimor i përbërë nga specialistet e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Policinë e kryeqytetit dhe nga shërbimet e Komisariatit nr. 2, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes si dhe për të identifikuar dhe kapur autorët e ngjarjes së rëndë. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e kryeqyteti, lidhur me ngjarjen ku mbeti i vdekur 18- vjeçari Jeton Ferhati, janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, disa persona dhe më në fund është bërë i mundur identifikimi i të rinjve që i shkaktuan vdekjen 18 -vjeçarit pas goditjeve me thikë.
Disa orë pas ngjarjes së rëndë, policia e kryeqytetit në bazë të dëshmive të marra nga persona të ndryshëm, janë identifikuar si autorë të dyshuar të krimit, dy vëllezërit, Elvis dhe Ervin Meta, përkatësisht 24 dhe 22 vjeçarë. Ndërkaq ndaj tyre, prokuroria e Tiranës ka firmosur një urdhër arresti për dy vëllezërit të cilët dyshohet se kryen krimin e rëndë ndaj të riut për motive banale.