Listat, Pone: Kanë aplikuar 1 milion e 306 mijë
TIRANË- Qeveria dhe opozita vazhdojnë luftën e nervave mes tyre lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.
E ndërsa kjo e fundit në mënyrë permanente i ka konsideruar të dështuara përpjekjet për të pajisur të gjithë qytetarët pa pasaporta me letërnjoftime elektronike brenda datës 28 qershor 2009, ekzekutivi, i cili ka përgjegjësinë direkte mbi ecurinë e këtij procesi, vijon të këmbëngulë në të kundërtën, duke e konsideruar atë një mision thuajse të kryer.
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, duke iu referuar të dhënave të datës 9 maj, ka bërë të ditur se numri total i aplikimeve ka arritur në 1 milion e 306 mijë, duke përfshirë këtu edhe numrin e atyre shtetasve që kanë pasaportë, por që aplikuan në fillim të këtij procesi.
"Numri i aplikimeve sot i ka kaluar të 1 milion e 300 mijë aplikime dhe, më saktësisht, duke marrë parasysh shifrat e ditës së djeshme, jemi 1 milion e 306 mijë e 542 aplikime të kryera. Vetëm dje janë kryer 15481 aplikime", - tha Pone.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se janë prodhuar 1.2 milionë letërnjoftime elektronike, ndërsa janë shpërndarë nëpër zyrat e gjendjes civile për t'u tërhequr nga qytetarët 1 milionë e 160 mijë.
Megjithatë, Pone nuk bëri të ditur sesa është numri i shtetasve pa pasaportë dhe që nuk kanë aplikuar, një element ky që vijon të mbetet tema e debatit mes opozitës dhe qeverisë.