28 qershor, vëzhguesit do shpallin rezultatin
Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve, në bashkëpunim me organizatën KRIIK Albania, do përcjellin on-line procesin e numërimit të votave
TIRANË- Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve, në bashkëpunim me organizatën KRIIK Albania, përmes projektit "Rezultatet Direkte të Zgjedhjeve", do të shpallin në kohë reale rezultatin, ditën e 28 qershorit.
450 vëzhgues të këtyre organizatave do të përcjellin me anë të celularit, numrin e votave për çdo parti ose koalicion, emrat e kandidatëve ose aleancave fituese. "Kjo nuk ka për qëllim që veprimtaria e tyre t'i mbivendoset veprimtarisë institucionale të KQZ-së.
ECA dhe KRIIK nuk do të bëjnë as më shumë dhe as më pak, atë që bëjnë partitë politike shqiptare, dhe as më shumë dhe as më pak atë se çfarë është në të drejtën dhe detyrë e vëzhguesit të zgjedhjeve",- u shpreh dje Drejtuesi i ECA-s, Ilirjan Celibashi.
Ai ka sqaruar se do të merret informacion në kohë reale mbi funksionimin e procesit të numërimit të fletëve të votimit, në të gjitha vendet e numërimit të votave. Pranë secilit vend të numërimit të votave do të pozicionohen 6 operatorë dhe një koordinator.
Operatorët do të punojnë në çift 24 orë në 24, duke mundësuar kështu ndjekjen e plotë të gjithë procesit të numërimit të votave.
Rezultatet që mblidhen për çdo vend të numërimit të votave do të përcillen në kohë reale, duke përdorur një teknologji moderne të hedhjes dhe transmetimit të të dhënave (software i posaçëm i instaluar në transmetues që përdorin sistemin GPRS) drejt një Qendre të Përpunimit të Informacionit, e vendosur në Tiranë, në Hotel Tirana International, qendër e cila do të jetë operative gjatë gjithë procesit të numërimit.
Rezultatet do të procedohen në mënyrë automatike përmes një programi kompjuterik të posaçëm dhe do të bëhen publike po në kohë reale. Informacioni i marrë nga operatorët në terren dhe i përpunuar grafikisht, në plane të ndryshme (p.sh. rezultatet sipas subjekteve të ndryshme, projeksione në kohë reale për numrin e mandateve, kandidatët fitues etj., në çdo qark dhe nivel kombëtar) në Qendrën e Përpunimit të Informacionit, do të vihet në dispozicion edhe të mediave kryesore në vend.
Qëllimi i këtij projekti është pikërisht transmetimi në kohë reale i votave të marra nga secili subjekt, në secilin qark, numrat e mandateve të fituara nga çdo parti politike ose koalicion, si dhe emrat e kandidatëve fitues për secilën parti politike/ koalicion.