Vëmendja në Grupin E

Vëmendja kryesore e të gjithë sportdashësve të mërkurën mbrëma do të jetë në Grupin E të Ligës së Kampionëve, ku e kërkojnë kualifikimin Juventusi dhe Chelsea, ndërsa një gjë të tillë e ka siguruar Shakhtar Donetsku.
Pikërisht ekipi ukrainas do ta thotë fjalën kryesore. Në rast të fitores ndaj Juventusit, më së shumti do të përfitonte kampioni aktual i Evropës, Chelsea, që do të kualifikohej në të tetën e finales.
Ekipit italian ndërkohë do t’i mjaftojë një barazim në Donbass Arena për të ecur tutje. Me këtë rast, londinezët do të përfundonin në Europa League. Grupet G dhe H do të jenë po ashtu interesante me pozitat e dyta që janë ende të lira. Me Barcelonën tashmë të kualifikuar, Benfica dhe Celticu do ta kërkojnë biletën e fundit nga Grupi G.
Të dyja skuadrat kanë nga 7 pikë, por Benfica do të ketë punë mjaft të vështirë, pasi që i nevojitet fitorja në Camp Nou ndaj Barcelonës. Në anën tjetër, skocezët duhet ta mposhtin gjithsesi Spartakun e Moskës dhe të shpresojnë në një dështim të ekipit portugez në Spanjë për të avancuar. Në Grupin H, i njëjti skenar ndodh edhe me Galatasarayn dhe Clujin, që kanë nga 7 pikë dhe e ndjekin pozitën e dytë, ndërsa e para është rezervuar tashmë nga Manchester United.
Të dyja skuadrat do të luajnë në udhëtim me ekipin rumun që do të ketë punë më të vështirë, pasi që e viziton Old Traffordin. Kurse turqit i shkojnë Bragas. Nëse të dyja ndeshjet përfundojnë me epilog të njëjtë, qoftë fitore, barazim apo humbje për këto dy ekipe, skuadra nga Stambolli do të bëhej pjesë e 16 ekipeve më të mira të Evropës.
Dhe, në Grupin F gjërat tashmë dihen vetëm se ka mbetur të shihet cili ekip do ta përfundojë këtë fazë në pozitën e parë. Favorit është Bayern Munichu, i cili luan në shtëpi me BATE Borisov, që e ka siguruar Europa Leaguen. Valencia i shkon Lilles së dorëzuar që në fillim.
Tri skuadrat që kualifikohen të mërkurën mbrëma në të tetën e finales do t’i bashkoheshin 13 ekipeve tjera që e kanë bërë një gjë të tillë më herët, si Porto, Paris St Germain, Schalke, Arsenal, Malaga, Milan, Borussia Dortmund, Real Madrid, Shakhtar Donetsk, Valencia, Bayern Munich, Barcelona e Manchester United.
Shorti do të hidhet në Nyon të Zvicrës të enjten më 20 dhjetor. Ekipet e vendit të parë do të përballen me ato të vendit të dytë të grupeve tjera dhe të vendeve tjera. Spanja do të jetë ekipi më i përfaqësuar në fazën eliminuese, me 4 ekipe, të cilat e siguruan kualifikimin më parë.
Liga e Kampionëve:
Grupi E
Shakhtar – Juventus 20:45
Chelsea – Nordsjaelland 20:45
Grupi F
Lille – Valencia 20:45
Bayern Munich – BATE 20:45
Grupi G
Barcelona – Benfica 20:45
Celtic – Spartak Moscow 20:45
Grupi H
Manchester United – Cluj 20:45
Braga – Galatasaray 20:45