Ferronikeli në dietë

Trajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi, është duke u munduar t’i përshtatet futbollit evropian, duke e përdorur një strategji e cila shihet pak në futbollin kosovar.
Me qëllim që t’i ketë lojtarët në formë në fillim të sezonit pranveror, trajneri prishtinas, pas përfundimit të sezonit vjeshtor, e ka bërë matjen e të gjithë futbollistëve, të cilët nuk guxojnë të shtojnë peshë gjatë kohës sa do të pushojnë.
Ekipi drenicas do të stërvitë deri më 20 dhjetor në palestër dhe do të ushtrojë fitnes, ndërsa më pas do të pushojë 3 javë, deri më 10 janar të vitit të ardhshëm, periudhë kjo pasive, e cila është e rrezikshme për shtimin e peshës. Ai tregon se e ka përdorur këtë metodë edhe kur ishte pjesë e shtabit teknik të Prishtinës.
“Kjo është metodë e aspektit profesional, një shprehi prezente sidomos në klubin e Prishtinës, të cilën e kemi aplikuar për një kohë të gjatë. Pas përfundimit të sezonit vjeshtor i kemi matur të gjithë lojtarët dhe tash e dimë peshën e tyre. Ata duhet të kenë peshë të njëjtë, por është e lejueshme ta shtojnë gjysmë kilogrami, maksimum një kilogram”, deklaroi fillimisht ish trajneri i Prishtinës.
“Me ardhjen e tyre pas tri javësh pushimi, do ta shohim se sa do të shtojnë peshë. Çdo futbollist duhet të jetë në peshë normale, të përgatitur së paku 50 për qind. Asnjëri lojtar nuk guxon të ketë pushim total, nuk bën të jetë pasiv gjatë kësaj periudhë”, vijoi ai.
Zakonisht matja e lojtarëve bëhet në fazën kur lojtarët janë më të përgatitur, sidomos lojtarët që kanë luajtur në vazhdimësi. Krasniqi shton se mbajtja e formës nga ana e lojtarëve është në të mirë të tyre dhe të ekipit.
“Sapo t’i fillojmë përgatitjet për sezonin pranveror, do t’i masim sërish lojtarët. Gjatë periudhës së pushimit, ata janë të obliguar të jenë aktivë, të ushtrojnë dy herë në javë fitnes dhe të luajnë futboll në fushë të vogël me shoqëri. Nëse e ruajnë peshën aktuale, do të jetë shumë më e lehtë për ta dhe për ne. Ai që nuk do ta zbatojë këtë urdhër, do të sanksionohet”, vijoi Krasniqi, sipas së cilit lojtarët që do të shkojnë në përgatitje të papërgatitur, do të ngecin dhe do të mbeten prapa të tjerëve në sezonin pranveror.
Nga përvojat e kaluara, Krasniqi njofton se lojtarët u janë përmbajtur kërkesave të tij, prandaj beson se një gjë të tillë do ta bëjnë edhe lojtarët aktualë. Nën drejtimin e tij, lojtarët e Ferronikelit do të ushtrojnë edhe dy javë, në mes fitnesit dhe fushës në palestër deri më 20 dhjetor.
Krasniqi e kishte zëvendësuar trajnerin Musa Selimi, duke i radhitur rezultatet pozitive. Debutuesi i Superligës, Ferronikeli e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë me 22 pikë të grumbulluara, prej tyre 6 fitore, 4 barazime e 7 humbje.