Borxh deri në fyt

Liria assesi nuk po ia del të lirohet nga telashet e shumta që e kanë kapluar që një kohë goxha të gjatë. Kriza e rezultateve nuk është preokupimi i vetëm i kësaj skuadre. Klubi nga qyteti i Prizrenit po ballafaqohet edhe me krizë të madhe financiare.
Për shkak të kësaj krize financiare, udhëheqësit e Lirisë nuk kanë mundur t’ua japin pagat futbollistëve të tyre për pesë muajt e fundit. Kështu thonë për Express vetë futbollistët e zemëruar të kësaj skuadre, por në kushte anonimiteti. Ata shpresojnë të mos i zënë festat e fundvitit pa para.
Në anën tjetër, drejtori sportiv i Lirisë, Hatmi Gashi, pranon se kryesia e klubit ka ngecur në aspektin e kryerjes së obligimeve ndaj lojtarëve. Ai beson se këtë problematikë Liria do ta zgjidhë shumë shpejt, por i lut futbollistët të kenë pak durim.
“Nuk mund ta mohoj këtë. Nuk i kemi kryer obligimet ndaj futbollistëve. Por, ne shpresojmë se futbollistët do t’i kuptojnë vështirësitë që po i kemi për t’i siguruar paratë. Megjithatë, ne shumë shpejt do t’i sigurojmë ato mjete dhe do t’i kryejmë të gjitha obligimet që na takojnë ndaj futbollistëve tanë, por kërkojmë pak mirëkuptim nga ana e tyre”, deklaroi Gashi për Express.
Madje, kjo krizë ka bërë që me të përfunduar sezoni vjeshtor, bardheiznjtë t’i ndërpresin të gjitha aktivitetet, edhe pse realisht ata nuk i kanë ‘kushtet’ për pushim, ngase edicionin pranveror do ta fillojnë nga fundi i renditjes tabelore.
Duhet theksuar se pjesën e parë të kampionatit prizrenasit e kanë përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e dymbëdhjetë të tabelës, me vetëm trembëdhjetë pikë të grumbulluara. Liria i ka regjistruar vetëm tri fitore e shtatë barazime, krahas shtatë humbjeve.