E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biasi befasohet me Canën

Eksperienca zhgënjyese e Lorik Canës në Lazio e ka befasuar Gianni de Biasin. Trajneri italian nuk arrin ta kuptojë se si futbollisti kosovar luan për mrekulli për Kombëtaren shqiptare, ndërsa është vetëm një hije te ekipi Biancocelesti. Megjithatë, selektori i Kuqezinjve nuk dyshon aspak në aftësitë e 29 vjeçarit, të cilin e konsideron si një lider të vërtetë.

Gianni de Biasi nuk arrin ta kuptojë se si Lorik Cana luan në mënyrë të shkëlqyeshme me Kombëtaren shqiptare, ndërsa ka krejt pamje tjetër dhe nuk po arrin të konfirmohet në Romë me Lazion, ku duket se nuk do të arrijë asnjëherë të eksplodojë përfundimisht.

Futbollisti kosovar është lider i Kuqezinjve, kurse tek ekipi italian është asgjë më shumë se një rezervist. Mirëpo, trajneri italian e ka vlerësuar lart 29 vjeçarin, për të cilin thotë se mund të luajë si qendërmbrojtës, por edhe si mesfushor defanziv.

“Nuk mund ta shpjegoj se si në Itali nuk po mund të përshtatet, në krahasim me lojën që e bën me Kombëtaren. Por, duhet pranuar se Lazio ka një ekip të ngjeshur dhe kualitativ dhe kur një lojtar nuk ndihet pjesë projektit nga fillimi, vihet në vështirësi. Nëse nuk je protagonist, të mungon edhe motivi dhe përqendrimi për ta dhënë më të mirën nga vetja”, deklaroi ish trajneri i Udineses në një intervistë për radion RadioSei.

“Loriku është një lojtar i mençur dhe mund të luajë si mbrojtës dhe përpara tyre. Është një djalë me personalitet, e udhëheq mbrojtjen dhe i fortë në lojën në ajër. Ai sillet si një lider dhe ashtu është, sepse e di se sa duhet të flasë dhe është mjaft inteligjent. Ka eksperiencë dhe është në moshën më të mirë të karrierës”, vazhdoi De Biasi.

Trajneri italian ka folur edhe për dy talentet e Lazios, Thomas Strakosha e Amir Bilali. “Strakoshën e njoh, është një portier me një të ardhme të mirë dhe e ka përpara një baba mjaft serioz, i cili është duke i dedikuar shumë kohë të birit duke e këshilluar. Është i ri dhe i ka kualitetet për t’u bërë portier i shkëlqyeshëm. Ndërsa Bilalin nuk e kam pasur rastin ta njoh”, përfundoi De Biasi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›