E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, ultimatum Berishës: Taksa e votës të hiqet brenda javës!

Islami: “Kartat falas përbëjnë të vetmen kërkesë të opozitës për këtë çështje”. Deputeti socialist: Nëse dështojnë zgjedhjet, përgjegjësia është vetëm e kryeministrit

Shaban Sulçe

Partia Socialiste i ka vendosur ultimatum qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të pranojë propozimin e saj për heqjen brenda javës së takës së votës. Selia rozë deklaron se zgjedhjet e 28 qershorit janë më të kërcënuara se kurrë dhe se për këtë arsye e vetmja masë që shpëton zgjedhjet nga dështimi është që kartat e identitetit të shpërndahen falas. Deputeti dhe sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, tha se e vetmja kërkesë e opozitës për çështjen e kartave të identitetit është që ato të shpërndahen falas. Sipas Islamit, qeveria duhet ta ndërmarrë një vendim të tillë brenda kësaj jave, pasi në të kundërt, nuk ka zgjidhje që garanton procesin zgjedhor të 28 qershorit. “Për të vërtetuar se PS-ja nuk ka frikë nga humbja dhe nuk ndien asnjë panik, i propozoj kryeministrit Berisha të pranojë pa hezitim heqjen e taksës së votës, duke e garantuar njëkohësisht se opozita nuk ka asnjë kërkesë tjetër për kartat e identitetit. Njëkohësisht kujtoj se ky akt duhet të hyjë në fuqi jo më vonë se fundi i kësaj jave, sepse pranimi i heqjes së kësaj takse kur nuk do të kishte më kohë fizike për të kryer aplikimet do të ishte veprimi hileqar i radhës për të mashtruar kryesisht partnerët ndërkombëtarë dhe arritur të njëjtin synim, por këtë radhë duke përdorur mungesën e kohës”, - tha Islami.

Shqetësimet

Islami tha se Partia Socialiste është shumë e shqetësuar për ecurinë e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Deputeti socialist u shpreh se kryeministri Berisha nuk duhet ta injorojë kërkesën e Partisë Socialiste për heqjen e taksës së votës. Islami tha se kryeministri Berisha po i çon zgjedhjet drejt dështimit dhe se për Partinë Socialiste ai do të jetë përgjegjësi kryesor nëse ndodh një gjë e tillë.
“Disa ditë rresht, me shqetësim i kemi kërkuar me të gjitha mënyrat kryeministrit të reflektojë për të hequr taksën e votës dhe të çlirojë zgjedhjet nga makthi i vjetër i manipulimeve. Kryeministri, duke bërë shurdhin, po i vë edhe këtë radhë zgjedhjet në rrezik. Ai përfundimisht po merr përgjegjësinë e rëndë të prishjes së tyre. Berisha nuk po e dëgjon zërin e votuesve të varfër, të opozitës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Duke i shpërfillur ato po afron çdo ditë dështimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Partia Socialiste vlerëson se ky do të jetë vetëm dështim i Berishës”, - tha Islami.

Akuzat
Islami e akuzoi kryeministrin Berisha se po tenton qëllimisht t’i çojë zgjedhjet drejt dështimit në mënyrë që të mbajë pushtetin e tij me çdo kusht. Deputeti socialist e akuzoi Berishën se po përpiqet të manipulojë zgjedhjet përmes kartave të identitetit. Islami tha se është Partia Demokratike dhe jo Partia Socialiste e frikësuar nga rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai deklaroi se PS-ja nuk ka ndër mend që të tërhiqet nga qëndrimi i saj që zgjedhjet të zhvillohen në 28 qershor dhe që kartat e identitetit të shpërndahen falas. “Partia Socialiste ka qenë shumë luajale me kërkesën e saj të hershme për heqjen e taksës së votës dhe nuk ka dashur asnjëherë që kjo çështje të kthehet në politike dhe aq më pak elektorale. Përkundrazi, PS-ja mbetet e angazhuar dhe është e përgatitur në të gjitha aspektet që zgjedhjet të zhvillohen më 28 qershor 2009. Përsëris që PS-ja nuk do të lejojë dështimin e zgjedhjeve dhe as ndryshimin e fitores së saj. PD-ja, e frikësuar nga humbja, kërkon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve përmes pengimit të votuesve të marrin pjesë në zgjedhje dhe pajisjes selektive të militantëve të saj me karta identiteti, sepse ajo është e ndërgjegjshme për humbjen, e cila është e pashmangshme nëse të gjithë kanë mundësi të votojnë. Kurse Partia Socialiste është e përgatitur për fitimin e këtyre zgjedhjeve. Ne thjesht duam që çdo votues të ketë mundësi të votojë, pavarësisht për cilën parti voton”, - tha deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›