Leskaj në Elbasan: “Shqipëria nuk duron edhe 4 vjet të tjera papunësi dhe varfëri”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka zhvilluar një takim në komunën Shirgjan të Qarkut të Elbasanit. Në këtë takim, Leskaj ka prezantuar programin e ri qeverisës së Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së saj në këtë takim, Leskaj tha se PS-ja ka një program të mirëstrukturar, i cili është garancia për fitoren dhe qeverisjen e nesërme. Leskaj tha se më 28 qershor shqiptarët do të votojnë për ndryshimin, pasi ata nuk mund të durojnë dot edhe 4 vjet të tjera papunësi dhe varfëri. “Shqiptarët janë sot të etur për ndryshim, të cilin nuk e panë dot në këto vite, dhe kjo është e kuptueshme. Dua t’ju them sot se 28 qershori është dita e kthesës në jetën e shqiptarëve. Ne jemi angazhuar për dy vjet me një punë shumë serioze për të bërë një program qeverisës serioz. Shqipëria nuk duron më edhe 4 vjet të tjera, sepse e ka lodhur papunësia, e ka lodhur varfëria, e ka dëshpëruar pamundësia për t’u krijuar fëmijëve kushte minimale për jetë e shkollë”, - tha Leskaj.
Veliaj në Gramsh: “Beteja më e madhe, heqja e taksës së votës”
G99-a zhvilloi një takim me banorët e qytetit të Gramshit, një prej qyteteve më të varfra të Shqipërisë, ku praktikisht pothuajse e gjithë popullsia e re është aktualisht e papunë.
Erion Veliaj u shpreh gjatë këtij takimi se beteja më e madhe e opozitës aktualisht është heqja e takës së votës. "Beteja më e madhe e jona sot është që të heqim njëherë e përgjithmonë taksën e votës. Është e pafalshme që Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku për të votuar duhet të paguash", - tha Veliaj. Kreu i G99-s u shpreh më tej se një tjetër sfidë, tashmë e pashmangshme, është edhe kriza ekonomike, ekzistenca dhe risqet e së cilës vazhdojnë të mohohen nga qeveria. Ai u bëri thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e politikës dhe i ftoi ata të gjithë që të ndryshojnë me votën e tyre më 28 qershor komplet mënyrën se si funksionojnë gjërat në Shqipëri.
Balla në Librazhd: “Të hiqet taksa e votës, njerëzit nuk kanë të paguajnë”
Deputeti i Partisë Socialiste për Librazhdin, Taulant Balla, ishte dje në rrethinat e këtij qyteti, ku ka biseduar me disa familje për pamundësinë ekonomike dhe varfërinë në rritje. Balla është interesuar për mundësitë e tyre për t’u pajisur me kartat e identitetit, ndërkohë që ka dëgjuar nga banorët dëshmitë e tyre. Banorët e Librazhdit i kanë pohuar deputetit Balla vështirësinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës, pasi jetojnë në skamje, në kufijtë e mbijetesës. Balla nga periferia e varfër e qytetit të Librazhdit i bëri dhe një herë thirrje qeverisë në emër të këtyre banorëve që të hiqet taksa e votës. “Është fatkeqësi që ende kjo qeveri vazhdon të bëjë politikë me të drejtën e njerëzve për të votuar. Është një e drejtë e pamohueshme për të gjithë këta banorë këtu. Është e pamundur për ta që të paguajnë taksën e votës. Është momenti për t’i bërë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga kjo taksë e votës”, - tha Balla.
21 Prill 2009