Taktika zgjedhore, qarqet e përzgjedhura nga partitë e vogla për fushatën elektorale
Shaban Sulçe
Edhe pse do të kenë listën e tyre të kandidatëve në të 12-të qarqet e vendit, partitë e vogla parlamentare duket se e kanë përqendruar fushatën e tyre paraelektorale vetëm në qarqet me numrin më të madh të deputetëve. Taktika zgjedhore e partive të vogla është e kushtëzuar nga sistemi proporcional rajonal, numri i mandateve në qarqe si dhe formulat e numërimit të votave të sanksionuara në Kodin e ri Zgjedhor. Në mjaft qarqe, ku numri i deputetëve është i ulët dhe pragu elektoral i lartë, shumë prej partive të vogla janë detyruar që të “tkurrin” aktivitetin e tyre elektoral. Kjo është vënë re edhe gjatë kësaj periudhe paraelektorale, ku drejtuesit e partive të vogla parlamentare janë parë më aktivë në qarqet me numrin më të madh të deputetëve. Ndërkohë, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe gjatë fillimit zyrtar të fushatës elektorale. Thënë më qartë, partitë e vogla do të garojnë më ashpër dhe më fort në qarqet ku kanë më shumë mundësi të fitojnë mandate deputetësh. Përsa u përket dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ato do ta shtrijnë fushatën e tyre elektorale në secilin qark, pasi kanë potencialin dhe mundësitë që të fitojnë mandatet e deputetëve.
Partitë
Lëvizja Socialiste për Integrim, ndryshe nga shumë parti të vogla parlamentare, do ta shtrijë fushatën e saj elektorale në të gjithë vendin, megjithatë, energjitë e fushatës së LSI-së pritet të jenë më të kushtëzuara në qarkun e Kukësit dhe të Gjirokastrës, aty ku numri i deputetëve është edhe më i ulët, respektivisht 4 dhe 5.
Ndërkohë, Partia Social-Demokrate dhe kreu i saj, Skënder Gjinushi, gjatë periudhës paraelektorale, me takimet e zhvilluara, janë parë më të përqendruar në qarkun e Tiranës, Korçës, Vlorës dhe Dibrës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partinë Demokracia-Sociale, drejtues të së cilës kanë pohuar se kanë si objektiv të fitojnë mandate deputetësh vetëm në 5 nga 12 qarqet e vendit.
G99-a duket se ka përzgjedhur qarkun e Tiranës, Fierit, Beratit dhe Elbasanit për të përqendruar fushatën e saj elektorale dhe për të shpresuar në fitimin e mandateve për deputetë.
Përsa i përket partive të vogla të së djathtës, gjatë periudhës paraelektorale ato janë shfaqur më shumë aktive kryesisht në qarqet veriore të vendit, të cilat njihen si bastione të së djathtës. Por sigurisht, në objektivin e këtyre partive nuk ka si të mungojnë Tirana, Fieri apo Elbasani, ku numri i mandateve të deputetëve është më i madh. Taktikë specifike zgjedhore pritet të ndjekë Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Kjo parti ka një elektorat më të përqendruar, i cili kryesisht ndodhet në qarkun e Gjirokastrës dhe të Korçës, aty ku PBDNJ-ja pritet të jetë më aktive në fushatën e saj zgjedhore.
Qarqet
Sipas Kodit Zgjedhor, për shpërndarjen e mandateve midis koalicioneve do të përdoret formula D’hondt, e cila nënkupton që “numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri pjesëtues te tjetri është 1”. Duke qenë se në qarqet me numër të lartë deputetësh, si Tirana apo Fieri, pjesëtimi i vazhdueshëm i votave për ndarjen e mandateve do të bëhet edhe me numra 16 për Fierin apo 32 për Tiranën, partitë e vogla kanë shanse të fitojnë një deputet, edhe nëse kanë një numër modest votash. Kjo do të bëjë që në qarqe të tilla, por kryesisht në Tiranë, shumica e kryetarëve të partive të vogla, të “betonizohen” në Tiranë në zgjedhjet e ardhshme.
21 Prill 2009