Vendet e Gjirit Arab e akuzojnë Iranin për ndërhyrje

Vendet e Gjirit Arab kanë akuzuar Iranin për ndërhyrje në punët e tyre rajonale me qëllim të “mbjelljes së mosmarrëveshjeve dhe shkatërrimit”.
Në një takim në Rijad, ministrat e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit, kanë bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, të ndërmarrë “masa të domosdoshme” për të ndalur aksionet e tilla të Iranit.
Ky këshill, që përbëhet nga Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thënë se “në mënyrë kategorike e kundërshton çdo ndërhyrjeje të jashtme në punët e tij dhe e fton regjimin e Iranit, që të ndalë provokimet”.