E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Kartës së Adriatikut mbështesin Maqedoninë

“Sërish e theksojmë mbështetjen e plotë për anëtarësim e Maqedoninë në NATO në një të ardhme të afërt, meqë jemi të vetëdijshëm se integrimi i saj do të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin”, bëhet e ditur në deklaratën e përbashkët të Grupit të Adriatikut, pas takimit në të cilin morën pjesë ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Malit të Zi, BeH-së, Kroacisë dhe Maqedonisë, si dhe përfaqësuesi i SHBA-ve. “Duke konfirmuar përkushtimin tonë të plotë të parimeve të Kartës së Adriatikut, jemi të vendosur që të vazhdojmë me përpjekjet tona për përmirësimin e bashkëpunimit, jemi të bindur se kjo është rruga më e mirë drejt integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski. Ai shtoi se në Afganistan në këtë moment gjenden 250 ushtarë, që është katër për qind e përbërjes së përgjithshme të ushtrisë së Maqedonisë. Shqipëria dhe Kroacia hynë në NATO në prill të këtij viti, ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi janë anëtare të Partneritetit për Paqe, që është hap i parë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në Aleancën. Maqedonia tani për tani mbetet jashtë NATO-s, pasi që Greqia bllokoi kandidaturën në samitin e Paktit Veriatlantik në Bukuresht, vitin e kaluar. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e firmosën Kartën e Adriatikut në SHBA në vitin 2003, me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën veriatlantike, e më vonë iu bashkëngjitën Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, përderisa Serbia ka status të vëzhguesit. /alsat-m/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›