E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vendet e rajonit, shumë shpejt përfitojnë liberalizimin e vizave”

Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan

“Shumë shpejt, shumica e vendeve të rajonit do të përfitojnë udhëtimin pa viza në vendet ‘Schengen’ dhe kjo do të thotë se të gjitha këto vende do të plotësojnë standardet si ato lidhur me dokumentet e identifikimit dhe sigurinë e pikave kufitare”.
Kështu u shpreh dje ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, gjatë fjalës së tij në tryezën e rrumbullakët, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për MARRI (Iniciative Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët) mbi “Përmirësimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e të dhënave mbi çështjet e migrimit dhe refugjatëve”.
Lohan tha se bashkëpunimi rajonal është në frymën e integrimit europian dhe në dobi të qytetarëve.
“Ne besojmë se formula e përdorur në Samitin e Sarajevës duhet të përdoret në iniciativat rajonale si MARRI dhe ne shpresojmë se të gjitha palët do të marrin një qëndrim fleksibël në interesin më të mirë të të gjithëve”, theksoi Ambasadori.
Sipas tij, bashkëpunimi mes vendeve të rajonit është në frymën dhe parimet e BE-së për integrimin, ndërsa nuk la pa përmendur edhe integrimin europian të Kosovës.
Lohan deklaroi se “natyrisht që Kosova nuk është tej konsideratës së BE-së, por kur kushtet të plotësohen, atëherë ajo do të mund të lëvizë drejt dialogut për liberalizimin e vizave me Komisionin Europian”.
Ambasadori i KE-së nënvizoi se “mbështetja e bashkëpunimit rajonal është prioritet kyç i BE-së, politikisht dhe financiarisht”.
Duke vlerësuar iniciativën për takimin e MARRI-t, Lohan vuri ne dukje se “është e rëndësishme t’u adresohemi sfidave të këtij rajoni, veçanërisht në kontrollin kufitar, migrimin dhe azilin”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›