E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë në gjimnaze për drogën dhe sëmundjet seksuale



Përmes rrëfimeve personale, personat e prekur nga HIV/AIDS dhe përdorues droge do të shëtisin nëpër shkollat e kryeqytetit për të ndërgjegjësuar gjimnazistët për shëndetin riprodhues dhe përdorimin e substancave psiko-aktive. Si asnjëherë tjetër, trajtimi i këtyre fenomeneve do të vijë përmes përvojave personale dhe rasteve konkrete. Ky sensibilizim vjen në kuadër të fushatës të lançuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në të do të përfshihen të gjitha shkollat e mesme të Tiranës.

Të ftuar

Është hartuar plani i punës për fushatën që do të zhvillohet në shkollat e mesme. MTKRS-ja në këndin e të ftuarve ka përfshirë prindër, mësues, psikologë, ndër të tjerë janë edhe persona të prekur nga HIV/AIDS dhe përdorues droge. Pjesëmarrësit do të flasin për përvojat e tyre si dhe do të sjellin përpara gjimnazistëve raste konkrete të ndodhura atyre. “Kjo është pjesë e politikave rinore që bënë MTKRS-ja lidhur me fenomenin e përdorimit të drogave në vendin tonë, sidomos me grupmoshat e të rinjve. Fushata do të nisë së shpejti dhe do të vazhdojë deri në pjesën e mbetur të këtij sezoni shkollor”, - shprehet Alban Kano, punonjës social në shkollën e mesme të përgjithshme “Partizani”. Sipas pikëpamjes së punonjësve socialë dhe psikologëve, kjo fushatë duhet të vazhdojë edhe në vitet e tjera, në mënyrë që të rinjtë të bombardohen me aktivitete të kësaj natyre, të ndërgjegjësohen sa më shumë me fenomenin dhe të kuptojnë çfarë sjell varësia ndaj drogave. Kjo lloj fushate përfshin edhe luftën që është bërë gjithmonë ndaj duhanit. “Kjo fushatë përpiqet që të ndërgjegjësojë sa më shumë të rinjtë mbi duhanin, alkoolin dhe drogën, përmes aktiviteteve do të bëhen pjesë e tyre, duke kuptuar kështu se çfarë ndodh me përdorimin e këtyre substancave. Ndoshta nuk mund të funksionojë me moral, mos kështu e mos ashtu. Por mendoj që përmes këtyre aktiviteteve të kuptojnë që të largohen sa më tepër që të jetë e mundur nga konsumi i drogave dhe substancave që u sjellin dëmtim për shëndetin”, - thotë Kano.

Fenomeni

Shifrat e përdoruesve të narkotikëve në vendin tonë kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave, në të gjithë vendin numërohen 40 mijë të tillë. Më problematike situata paraqitet tek prirja në rritje për përdorimin e drogave sintetike, si amfetamina apo ekstaza, të cilat prodhohen edhe përmes medikamenteve të ndryshme. Ndërkohë që trajtimi kurativ i kësaj kategorie vështirësohet akoma më shumë si shkak i mungesave të qendrave trajtuese. Nga vëzhgimet dhe studimet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë konstatohet një rritje e preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës (ekstazi, metamfetaminë). Substancat psiko-aktive që përdoren më shumë, janë prodhimet e kanabisit, rreth 65%, përdoruesit e opiateve, kryesisht të heroinës, janë 20-25% si dhe rreth 10% janë përdorues të kokainës.

Bashkia

Rikonstrukton sheshin “Shtraus”

Përfundon së rikonstruktuari sheshi ''Shtraus'' me një vlerë prej 24.935.760 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm dje tha: “Jam krenar për përfundimin e këtij projekti, i cili i jep një cilësi tërësisht të re kësaj zone, i jep një pikë të re referimi të gjithë komunitetit të zonës dhe transformon edhe vlerën e të gjithë këtyre banesave, hapësirave të biznesit rreth e rrotull”, - duke shtuar: “Kjo është një arritje e përbashkët me të gjithë këtë komunitet dhe ky projekt është rezultat i dëgjesave publike, për të pasur këtu një nga qendrat që do të përbëjnë rrjetin e Tiranës policentrite”. Sheshi “Shtraus”, i njohur ndryshe “Xhamlliku”, ndodhet në pjesën verilindore të Tiranës, përgjatë aksit të rrugës “Qemal Stafa”, në kryqëzimin e saj me rrugën “Hoxha Tahsim”. Pjesa qendrore e këtij sheshi do të shërbejë kryesisht për t’u dhënë mundësi banorëve të zonës të çlodhen e të kenë hapësirën e tyre të nevojshme të pushimit me parqe dhe lulishte, ndërkohë që pjesa veriperëndimore është konceptuar si një zonë pedonale. Një nga komponentët më të rëndësishëm në projektin e rehabilitimit urban të sheshit, është dhe ndërhyrja në fasadat ekzistuese të objekteve, që konturojnë sheshin “Shtraus”, gjë e cila plotëson imazhin tërësisht të rehabilituar të një sheshi model të standardeve evropiane.

Mbetjet spitalore

ASHR-ja nuk u jep licenca 15 klinikave private

Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, nga fillimi i vitit ka refuzuar pajisjen me licencë për 15 subjekte që kërkonin të hapnin klinika private, pasi ato nuk plotësonin kushtet për eliminimin e mbetjeve spitalore. Burime nga ASHR-ja thanë: "Të gjithë personat fizikë dhe juridikë kanë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në sistemin tonë shëndetësor, por ata duhet të plotësojnë kriteret e vendosura, që janë dhe standarde të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian". Kontrollet e inspektorëve do të intensifikohen në muajt në vijim, duke u përqendruar dhe në plotësimin e kushteve higjeno-sanitare të ambienteve të ushtrimit të aktivitetit të tyre. Sipas burimeve, ndaj të gjithë spitaleve, duke përfshirë dhe klinikat mjekësore, në rast të konstatimit të shkeljeve të rregullores "Për administrimin e mbetjeve spitalore" do të merren masa me gjobë, deri në heqje të licencës, në rast se nuk plotësojnë kriteret për eliminimin e mbetjeve spitalore. Rregullorja për administrimin e mbetjeve spitalore është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe përcakton të gjitha rregullat për kontrollin e prodhimit, grumbullimit, transportimit, magazinimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore. Në mbetjet spitalore përfshihen mbetje të rrezikshme, si mjetet e mprehta, me të cilat janë kryer operacionet, veshjet gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku etj. Mbetjet spitalore konsiderohen një rrezik potencial për pacientët dhe për jetën e banorëve përreth klinikave, për shkak të marrjes së infeksioneve të ndryshme nëpërmjet tyre, por dhe për ndotjen e mjedisit.

Durrës

Agjencia mjedisore: Lumenjtë po ndoten

Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës ka vënë alarmin, pasi lumenjtë që derdhen në detin Adriatik, po e ndotin atë çdo ditë me shpejtësi marramendëse. Kjo, për shkak të derdhjeve të mbeturinave organike e toksike nga firma, kompani e individë, si dhe shira dhe prurje të bollshme të këtij dimri kanë sedentuar mbeturina të shumta, të cilat kanë shkaktuar ndotjen e një pjese të bregut të detit. Në vijën bregdetare të Durrësit derdhen lumenjtë Erzen dhe Mat. Stina e dimrit u shoqërua me reshje të papara, të cilat shkaktuan zgjerimin e shtretërve të lumenjve, por edhe ndikuan në rritjen e prurjeve të tyre. Uji i lumenjve, gjatë rrugës së tyre për në det ka marrë me vete mbeturina urbane, drurë e gjithfarë objektesh të tjera, të cilat kanë mbushur disa qindra metra vijë bregdetare, duke i ndotur ato. Kjo situatë duhet t’i vërë në lëvizje strukturat e pushtetit vendor, të cilat duhet të mendojnë që tani për pastrimin e tyre. Verën që shkoi, pjesa e plazheve, e cila ndodhet pranë grykëderdhjes së këtyre lumenjve, pati frekuentim të madh nga ana e pushuesve, të cilët janë në kërkim të zonave të reja. Por, edhe vjet, pika më problematike ishte pikërisht rëra e ndotur. Gjithashtu, në det përfundojnë edhe disa përrenj, të cilët kanë shkaktuar të njëjtën situatë, por në përmasa më të vogla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›