E Shtunë, 31 Tetor 2026

PUSHTETI PROVINCIAL I SHQIPTARËVE



Të nderuar lexonjës!

Filozofi kinez Lao Tse, i cili kishte jetuar para lindjes së Krishtit, kishte thënë: “Një shtet, sa më shumë ligje që nxjerr dhe miraton, aq më shumë hajdutë i paraqiten”. Është një mendim socio-juridik që sot e kësaj dite është aktual dhe ky mendim jo rastësisht do të reflektohet në hapësirat e shteteve që kalojnë nëpër një tranzicion të pafund ekonomik, social, politik..., shteteve të cilët antivlerën, amullinë, intolerancën, papërgjegjshmërinë, hajdutërinë individuale dhe kolektive e kanë virtyt themelor. Nxjerrja e ligjeve të reja, miratimi dhe (mos)zbatimi i tyre i (pa)ekuilibruar është karakteristikë e shteteve që udhëhiqen me emocione, romantizëm, pseudopatriotizëm..., mandej me ndërtim të objekteve sakrale që do të jenë tipike vetëm për një religjion, shteteve të cilët në mungesë të trashëgimisë së një politike konstruktive dhe të mirëfilltë, do të frymojnë me ndihmën e përrallave të vjetruara dhe të shpjeguara nga stërgjyshërit e tyre. Në vijimësi do të mëtojnë të bëjnë politikë të egër, të ndyrë dhe djallëzorë. Edhe kjo do të jetë karakteristike për shtetet që kanë hasur rastësisht në hapësira të caktuara. Një i tillë është dhe shteti i Maqedonisë, i cili fatkeqësisht do të kufizohet me fqinj që kanë historinë e territoreve të tyre autoktone, por që gjithë ditën e Perëndisë do t’ia kontestojnë emrin, kishën dhe gjuhën. Ky shtet me një demokraci, pavarësi dhe një sovranitet me shëndet të brishtë, si dhe me një konfiguracion të papërshtatshëm, çuditërisht edhe më tej qëndron në këmbë, si në aspekt politik, ashtu edhe ekonomik, falë kujdestarisë së një tolerance të çuditshme dhe të një durimi të pafund të partive politike shqiptare, nga njëra anë dhe propagandës maqedonase që është banale, arrogante, agresive dhe negative karshi “faktit se shqiptarët nuk dinë të votojnë”, nga ana tjetër. Ky shtet biblik, në vend që të investojë në zhvillimin ekonomik të vendit, përkundrazi, me këshillat dhe sugjerimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve do të investojë edhe më shumë në përçarjen (edhe ashtu të përçarë) e mendimit politik të shqiptarëve këtej gardhit. Një përçarje të tillë, fillimisht e bëri me Partinë për Prosperitet Demokratik, mandej me Partinë Demokratike Shqiptare dhe tani veç ka filluar të “kullosë sytë dhe mendjen” në avllinë e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe në fund ka për t’i ardhur radha edhe Demokracisë së Re.

Përçarja politike e shqiptarëve u hetua ditë më parë kur edhe u organizuan zgjedhjet presidenciale dhe provinciale (vendore). Ishte një ditë kur shqiptarët dolën të votonin vullnetin e tyre dhe njëkohësisht për t’u treguar maqedonasve se si votohet për pushtet provincial, meqenëse pushteti vendor, në krahasim me atë qendror, nuk sjell kushedi çfarë avantazhi ekonomik dhe politik. Në këto zgjedhje provinciale për herë të parë, te shqiptarët u vërejt një shqetësim i sinqertë kundrejt mbrojtjes së votës, u vërejt një risi në të menduarit dhe ndërgjegjësimit politik dhe njëkohësisht për herë të parë, pjesa dërrmuese e elektoratit do t’i bëjë inat kërkesës së maqedonasve për të votuar kandidatin e tyre. Ata deshën që edhe kësaj radhe ta shtetëzojnë votën shqiptare, që më pastaj atë votë ta konceptojnë si letër ambalazhi apo letër tualeti! Ndoshta kanë të drejtë, pasi ne, që në fillim, toptan e përqeshëm dhe anashkaluam kandidaturën dhe votën e motrës dhe vëllezërve tanë: të Mirushe Hoxhës, Ymer Selmanit dhe Agron Buxhakut. Gjithsesi, edhe kësaj radhe reagimi i shqiptarëve ishte paksa i vonuar, kundrejt mosvotimit të kandidatit për president jolegjitim dhe jokonsensual, të një shteti (jo)multietnik. Kjo vonesë ishte rezultat i asaj, se ne u gjendëm “ndoshta” para një akti të kryer. Thjesht, nuk arritëm t’i inatosnim apo t’i bojkotonim deri në fund zgjedhjet presidenciale, zgjedhje këto që nuk ndërtojnë kushedi çfarë historie hamami... Ky bojkot ishte i pamjaftueshëm falë mungesës së unitetit ndërpolitik shqiptar. Tek e fundit, nëse pushteti provincial është një fitore partiake (pa marrë parasysh se cilës parti politike shqiptare i dedikohet), është njerëzore t’i gëzohesh dhe njëkohësisht është morale ta mbrosh (ndonëse filozofia e qeverisjes së pushtetit provincial nuk reflekton kushedi çfarë leverdie ekonomike, por të mbrosh me çdo kusht konceptin e shtetit ekzistues, i cili fare nuk të përfill dhe nuk të bën për pazar, është diçka poshtëruese, çmenduri! Fitorja e pushtetit qendror nga ana e maqedonasve është një humbje e dhembshme e shqiptarëve. Kjo fitore, lëre që nuk na ndërgjegjëson, por as nuk na sikletos. Unë, si autor i këtij opinioni, them se Marrëveshja e Ohrit që u nënshkrua nga partitë politike shqiptare, maqedonase dhe nga ndërmjetësuesit evropianë (ndonëse në atë kohë kishte zëra që ishin kundër...), është një fitore e pastër e maqedonasve, sepse është një marrëveshje që edhe pas kushedi sa vitesh vazhdon të denigrohet, të manipulohet dhe t’ua mbajë shqiptarëve gojën hapur, kurse maqedonasve t’ua mbushë veshët me lesh. Është një marrëveshje që në vend që të merr jetë, asaj i vihen kleçka. Në këtë katrahurë do të kenë hise edhe partitë politike shqiptare, pa asnjë përjashtim – pozitë e opozitë.

Ju të nderuar lexonjës, më thoni se sa e ndershme do të ishte që shqiptarët, edhe në të ardhmen, të jenë kujdestarë në repartin e çmendisë politike maqedonase? Edhe sa kohë do të na duhet ta lexojmë bythëpraptas dhe në Ligjin për Stimulimin e Natalitetit, që falë një juristi gostivaras dhe Gjykatës Kushtetuese shkoi në shtonat e hamamit... Edhe sa kohë do të ndërtohen kryqe e kisha në kurriz të taksapaguesve shqiptarë? Edhe sa kohë nuk do të zbatohen ligjet që duhet të favorizojnë shqipfolësit? Edhe sa kohë shqiptarët do të duhet ta kundërshtojnë zbatimin e ligjit për dygjuhësinë e dokumentacionit pedagogjik nëpër shkollat fillore dhe të mesme? Edhe sa kohë nuk do t’i inkuadrojnë politikanët shqiptarë në Grupin e Negociatorëve për emrin me Greqinë? Vërtet nuk e di edhe sa ligje të tjera duhet të imagjinohen, të arnohen, ndërtohen dhe në instancë të fundit, të denigrohen! Nëse shteti biblik i Maqedonisë edhe në të ardhmen nuk e ndryshon filozofinë e politikëbërjes së saj, atëherë do ta humbë përkrahjen e aga babës Amerikë, ndërkaq, aga baba di të të synetojë në kokë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›