Dëshmitarët: Vrasësi dukej i qetë
Ngjarja
Pa kaluar as 24 orë nga masakra e ndodhur në fshatin Vidohovë të Devollit, qartësohet tabloja e ngjarjes. Autori i vrasjes së trefishtë, Besim Karaj ka qenë rreth orës 9:00 të mëngjesit në lokalin në qendër të fshatit, ku ka pirë kafe. E zonja e lokalit Nezaqet Qazolli, thotë se nuk dukej i shqetësuar. “Të tre vëllezërit kanë ardhur nga lagjja e përtejme, ku kanë edhe një lokal dhe shtëpinë. Besimi i ka parë se po silleshin rrotull. Ata kanë ardhur në lokal rreth orës 12:30”, rrëfen e zonja e lokalit. Sipas të dhënave nga dëshmitarët okularë, tre vëllezërit nuk vinin në zonën e lagjes së sipërme ku rrinte Besimi, për shkak të hasmërisë që kishin me të. Dyshohet se Taulanti ka pasur thikë me vete dhe të tre vëllezërit kanë shkuar tek lokali ku rrinte Besim Karaj për t’u grindur me të. Besimi i ka parë vëllezërit dhe ka debatuar fillimisht para lokalit. Më pas, ai ka shkuar të marrë armën në banesë dhe sapo ka ndeshur me vëllezërit Mulliri ka qëlluar në këmbë Taulantin, në mënyrë që të mos kishte mundësi të largohej. I përgjakur Taulanti ka tentuar të hyjë në lokal, por është qëlluar në gjoks dhe pas kurrizit. Më pas, Besimi ka qëlluar me breshëri mbi dy vëllezërit e tjerë. Fillimisht mbi Edlevanin që ndodhej pranë Taulantit dhe më pas ka ndjekur dhe qëlluar Xhiljanin, që ndodhej rreth 20 metra më tutje.
#