E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vendi im është Amerika”

Autori i Lajmit: Fareed Zakaria
Po të marrësh vetëm një frazë nga fjalimi që mbajti Barak Obama për Afganistanin javën e kaluar, ishte e gjitha për përqendrimin dhe limitimin e qëllimit të misionit të Amerikës në atë vend. Qëllimi i tij, - tha presidenti, - mezi ishte përcaktuar. “Objektivat që ai detajoi ishin vetëm ushtarake – për të mohuar parajsën e sigurt të Al Kaedës, për të zmbrapsur vrullin e talebanëve dhe për të forcuar forcat e sigurisë së qeverisë së Kabulit. Ai nuk tha pothuajse asgjë lidhur me objektivat më të gjerë si përhapja e demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut, apo ndihma për shkollimin e grave. Vendi që ai ishte i interesuar të ndërtonte, - shpjegoi Obama, - ishte Amerika. Dhe më pas erdhi dhe kjo frazë: “Unë kam vendosur se është në interesin jetësor të kombit tonë që të dërgojmë 30.000 trupa në Afganistan”. Pikërisht këtu shtrihet presioni në politikën e Barak Obamës. Ai kërkon një politikë të jashtme më të qartë dhe diskriminuese, një politikë që shkurton angazhimet e pafundme dhe ndërhyrjet e pakufizuara të epokës Bush, por ndoshta është një politikë e jashtme më e disiplinuar se qasja e Bill Klintonit ndaj botës. (Gjatë fushatës presidenciale, Obama la të kuptohej në mënyrë të përsëritur se politika e jashtme e Xhorxh Bush ishte ajo që ai admironte më tepër). Por sot Amerika është në mes të një lufte që nuk po shkon mirë, dhe një hap pas në këto momente do të dukej si një tërheqje humbësish. Obama është duke kërkuar për një postpolitikë imperialiste në mes një të një krize të paprecedent. “Sulmi” i studiuar – dërgo trupa për të rifituar terrenin, por pastaj tërhiqu sërish – është përgjigjja e kësaj situate të vështirë. Ky është një kompromis i kuptueshëm dhe mund të jetë i frytshëm, por ai shtyn një vendim përfundimtar për Afganistanin deri sa kjo valë e re trupash të përmirësojë situatën në terren. 18 muaj nga tani, Obamës do t’i duhet t’i përgjigjet një pyetjeje në kor: A ia vlen një Afganistan i qëndrueshëm dhe funksional me një prezencë të madhe dhe të vazhdueshme trupash amerikane, apo interesat amerikane mund të sigurohen dhe me një kosto më të ulët? Viti i parë i presidencës ka qenë një dritare në pikëpamjet e botës për Barak Obamën. Shumica e presidentëve, pasi arrijnë të ulen në zyrën e Shtëpisë së Bardhë, nuk i rezistojnë dot tundimit të shndërrohen në një Uinston Çërçill. Ata mundohen që të hiperbolizojnë retorikën e lirisë dhe tiranisë dhe të përqafojnë dramën morale të rolit të tyre si liderë të botës së lirë. Edhe Bushi i vjetër, një nga presidentët më pragmatistë që mund të kemi pasur ndonjëherë, i shkau goja për një “rend të ri botëror”, menjëherë sapo qëndroi përpara podiumit të mermertë të Kombeve të Bashkuara. Por jo Obama. Ai ka qenë i qetë dhe i vetëpërmbajtur nëse bëhet fjalë për qasjen e tij ndaj Rusisë, Iranit, Irakut ose Afganistanit. Një orator i shkëlqyer, ka bërë që në këtë fushë ai të mbajë elokuencën në kontroll. Obama është një realist, nga temperamenti, dituria dhe instinkti. Më shumë se çdo president që nga Riçard Niksoni, ai është fokusuar në përcaktimin me kujdes të interesave amerikane, duke siguruar burimet për t’i arritur ato me sytë ngulitur tek trofeu. Në vitin 1943, reporteri Valter Lipman e përcaktoi politikën e jashtme si një “peshore me një bilanc pozitiv për angazhimet e kombit dhe fuqisë së tij”. Vetëm atëherë Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë qëndrueshmëri strategjike jashtë vendit dhe mbështetje të brendshme në shtëpi. I ndërgjegjshëm ose jo, presidenti Obama po shkonte drejt fjalëve të Lipmanit kur tha: “Si president, unë refuzoj të vendos objektiva që shkojnë përtej përgjegjësisë sonë, mjeteve dhe interesave tona”. Në fjalimin e tij ai vetëm citoi një njeri, një president të partisë kundërshtare, Duajt Ajzenhauer, i cili ka thënë për sfidat kombëtare të sigurisë: “Çdo propozim duhet të peshohet duke marrë parasysh një vlerësim më të gjerë: Pra është nevoja për të ruajtur balancën në dhe mes programeve kombëtare”. Obama shtoi se “ne e kemi humbur këtë balancë disa vite më parë”. Tashmë ai po përpiqet që të sjellë një farë ekuilibri në politikën e jashtme amerikane. “Në fund”, - tha presidenti javën e kaluar, - “siguria dhe lidershipi ynë nuk vjen vetëm nga fuqia e armëve tona”. Ai shpjegoi se fuqia ekonomike dhe teknologjike e Amerikës e ka përforcuar aftësinë e saj për të luajtur një rol botëror. Në një drekë të vogël me një grup gazetarësh (bashkë me mua përfshirë në ta) javën e kaluar, ai e bëri të qartë se nuk donte të vazhdonte dy luftëra njëkohësisht. Ai dukej se donte të thoshte se këto luftëra, - Iraku dhe Afganistani – nuk ishin mënyra vendimtare për arritjen e sigurisë afatgjatë amerikane. Obama shpjegoi se sfidat në shtëpi – rritja ekonomike, risitë teknologjike, reforma në arsim - ishin thelbësore në ruajtjen e statusit të Amerikës si një superfuqi. Tani është e qartë se Obama po tenton diçka shumë ambicioze – për të riorientuar politikën e jashtme amerikane drejt një politike më pak ekstravagante dhe armiqësore. Kjo nis duke kufizuar luftën kundër terrorizmit, zmbrapsjen e konfliktit me botën islamike me ato grupe dhe vende që paraqesin kërcënime direkte ndaj Amerikës, dhe fërkimet me të tjerat. Ai është përpjekur gjithashtu të zhvillojë një marrëdhënie më të mirë mes Amerikës dhe fuqive të tjera kryesore si Rusia dhe Kina, duke lënë mënjanë probleme më të vogla me shpresën e bashkëpunimit për çështje më të mëdha. Kjo do të thotë largimin nga një qasje biparizane në të cilën, roli i Uashingtonit ishte të drejtonte pjesën tjetër të botës, duke detyruar regjimet e mëdha dhe të vogla që të pranonin idetë amerikane dhe ndëshkimin publikisht të atyre që s’i pranonin ato. Obama po përpiqet të thyejë dinamikën që thotë se, kur një president amerikan negocion me kinezët ose rusët, ai duhet të kthehet me shpërblime dhe lëshime, sepse përndryshe ai do të quhet fajtor për paqedashje. Dhe më pas vjen kjo linjë. Mund të duket e vështirë që të pajtohesh me një politikë të jashtme më të fokusuar me një luftë dhe prezantimin e 30 mijë trupave. Por kjo nuk është e paprecedent. Kur Riçard Niksoni dhe Henri Kisingeri hynë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1969, ata trashëguan një luftë në Vietnam që deri në një nivel teorik mund ta kenë besuar, por që e dinin shumë mirë se po e vriste vendin. Gjatë viteve të tyre në zyrën ovale, ata u përqendruan në mbështetjen e pozicionit të fuqisë amerikane përmes diplomacisë me Bashkimin Sovjetik, Kinën, Egjiptin dhe Izraelin. Por ata kuptuan gjithashtu se duhet të përballeshin dhe me krizat në Vietnam dhe thanë qartazi se do të përpiqeshin ta nxirrnin vendin nga Vietnami. Deri në prill 1969, menjëherë pasi Niksoni erdhi në pushtet, në Vietnam kishte 543,000 trupa amerikane. Në fund të mandatit të tij të parë, kishte më pak se 20,000 ushtarë. Por mes këtyre viteve, në mënyrë që ta mbanin armikun në pozicione mbrojtëse, për të rifituar vrullin dhe për të krijuar terrenin e nevojshëm për tërheqjen e trupave, Niksoni dhe Kisingeri urdhëruan një seri manovrash ofensive ushtarake që u hartuan për të goditur fortë vietnamezoveriorët. Me pak fjalë, mund të shpjegohet: Sulm dhe më pas tërheqje. Edhe pse vietkongasit u mposhtën, në fund Veriu e mori në zotërim Jugun më 1975. Por do të ishte mësimëdhënëse po të mendoje përsenë? Në radhë të parë, aleatit tonë lokal i mungonte legjitimiteti dhe kompetenca. Qeveria e Vietnamit Jugor ishte thjesht e paaftë që të fitonte besimin e popullit të saj dhe vietkongët dhe aleatët e tyre veriorë ishin të aftë të bindnin dhe frikësonin dhjetëra mijëra vietnamezë që të kalonin në krahun e tyre. Në radhë të dytë, armiku kishte strehime të sigurta jashtë Vietnamit Jugor, kryesisht në Vietnamin Verior dhe Kamboxhia, të cilat u siguronin atyre mundësinë për t’u arratisur dhe shërbenin si rrugë furnizimi. Por më e rëndësishmja nga të gjitha, rebelët kishin mbështetjen aktive të të gjitha superfuqive, Bashkimit Sovjetik, por dhe të Kinës gjithashtu. Më në fund, Shtetet e Bashkuara ndërprenë të gjithë ndihmën për Vietnamin Jugor, duke braktisur një vend që kishte humbur 59,000 trupa për t’i mbrojtur. Tabloja e sotme është më premtuese në të tria frontet. Në Afganistan, qeveria e Karzait është zgjedhur dhe ka mbështetjen e pjesëve të rëndësishme të popullsisë. Akoma më i rëndësishëm është fakti që talibani është shumë jopopullor pothuajse kudo. Krahas strehave të sigurta, është e vërtetë se problemi i Pakistanit është ndoshta sfida kryesore për mposhtjen e talibanit dhe Al-Kaedës, dy lidershipet e së cilave tani strehohen atje dhe jo në Afganistan. Por Shtetet e Bashkuara e kanë marrë disi veten, pasi kanë sulmuar këto streha të sigurta me avionë të telekomanduar, ndërsa ushtria e Pakistanit ka nisur ngadalë dhe pa dëshirë të pranojë se duhet marrë një farë aksioni kundër grupeve militante që ajo ka mbështetur për një kohë të gjatë. Ndoshta për shkak se kjo luftë është parë si një domosdoshmëri dhe jo zgjedhje nga shumica e opinionit amerikan, ka një mbështetje shumë herë më të madhe për politika të tilla se sa kishte për përpjekjet e njëjta për të sulmuar shtegun e Ho Shi Minit në Kamboxhia. Kurse për problemin më të gjerë të mbështetjes së fuqive të mëdha, Talibani dhe Al-Kaeda kryesisht janë izoluar nga një koalicion masiv ndërkombëtar i rreshtuar kundër tyre. Kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të triumfojnë në disa luftëra lokale në disa pjesë të Afganistanit, por ndaj tyre do të ushtrohet një presion i madh për të arritur qëllimin e tyre të fundit që të sundojnë Afganistanin. Duhet të jetë e vështirë për Shtetet e Bashkuara që të “fitojnë” Afganistanin, por nga ana tjetër do të jetë e pamundur për Talibanin që të bëjë të njëjtën gjë. Dhe më në fund, Amerika nuk e ka braktisur Irakun dhe nuk do ta bëjë as me Afganistanin. Në fund të fundit, sidoqoftë, dikush shpreson që presidenti Obama do të ketë parasysh një tjetër leksion të Vietnamit. Tërheqja nga një situatë e rrëmujshme nuk e dëmtoi përgjithmonë sigurinë kombëtare të Amerikës. Shtetet e Bashkuara vuajtën daljen më poshtëruese të imagjinueshme nga jugu i Vietnamit në vitin 1975, pasuar dhe nga disfatat në Afrikë, Amerikën Qendrore dhe Iran. Por ende, brenda një dekade, Amerika ka rifituar pozicionin e saj të liderit ndërkombëtar dhe brenda 15 vitesh, kundërshtari i saj kryesor, Bashkimi Sovjetik është rrënuar. Çelësi i kësaj ringjalljeje nuk ishte diçka që ndodhi jashtë, por ishte aftësia e Amerikës për të rigjallëruar ekonominë e saj të brendshme, motorin e pozicionit të saj si superfuqi. Historia e fuqive të mëdha sugjeron se të ruash pozicionin e tyre kërkon kryesisht kujdesje për burimet e fuqisë: Rritjen ekonomike dhe risitë teknologjike. Ajo do të thotë gjithashtu përqendrim në qendrat e fuqisë botërore, jo në ato periferike. Përgjatë gjithë historisë, vendet e mëdha e kanë humbur drejtimin nga përfshirjet në misionet e mëdha larg shtëpive të tyre, çka ka shkatërruar dëshirat, forcën dhe fokusin e këtyre superfuqive. (Edhe kur ato kanë fituar: Britania triumfoi në Luftën Boer kundër afrikanëve – lufta për liri –perandoria e saj mori një goditje të parikuperueshme. Është e rëndësishme të kujtohet se në shekullin e ardhshëm, Afganistani do të jetë pozicioni dominues i Amerikës në Azi, - roli i Britanisë si ekuilibruese në Pacifik, - do të jetë thelbësor në rolin e saj si një superfuqi. Obamës do t’i duhet të jetë i fokusuar në korrikun e 2011-ës. Lejomëni të bëj një parashikim guximtar. Afganistani nuk do të transformohet deri në këtë datë. Ai nuk do të duket si Franca, me një qeveri qendrore efektive. Fitoret që do të jenë arritur deri në atë kohë do të jenë të dobëta. Situata do të jetë disi e paqëndrueshme. Por do të jetë ende koha që të nisë tranzicioni në sundimin afgan. Nga fundi i vitit 2011, Shtetet e Bashkuara do të kenë kaluar atje më shumë se 10 vjet, mijëra jetë, dhe 2 trilionë dollarë të shpenzuara për të arritur qeveri të qëndrueshme dhe demokratike në Irak dhe Afganistan. Do të jetë koha për të ecur përpara.
(Newsweek)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›