E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nizhni Tagil, në kërkim të lavdisë së shkuar

Autori i Lajmit: Nga Ellen Barry
NIZHNY TAGIL, Rusi — Të hënën në mëngjes, si çdo mëngjes, punëtorët vërshuan në pesë portat e Ural Vagon Zavod dhe gratë e nënat marshuan mbi akullin në bulevardin e hekurudhës. Në të gjithë zonën industriale të Nizhni Tagil kishte vetëm një person, i cili kishte rëndësi, ai i cili do të kalonte me makinë në derën kryesore të martën në mëngjes. Gjatë përgatitjes së qytetit për vizitën e kryeministrit Vladimir Putin, banorët përsëritnin me buzëqeshje të njëjtin varg nga një poemë e shekullit të 19-të me temë një konflikt midis fshatarëve: “Mjeshtri po vjen, mjeshtri do t’i zgjidhë çështjet”. Ky varg është shndërruar në një retorikë në Nizhni Tagil, një qytet me 400.000 punëtorë në dy ndërmarrje kolosale të ndërtuara në kohën e Bashkimit Sovjetik, një uzinë hekuri gjigante dhe Ural Vagon Zavod, e cila prodhon tanke, vagonë mallrash dhe pajisje të tjera hekuri të tonazhit të rëndë. Një periudhë shqetësimi u përhap ndërsa Ural Vagon Zavod filloi të pezullonte mijëra punonjës dhe shkurtoi pagat e tyre. Kasapët në Vagonuaka, lagjja në të cilën jetojnë shumica e 28 000 punonjësve, vërejti rënien e shitjes së mishit me 50 për qind. Vjedhjet e rrugës nisën të shpeshtoheshin dhe dyqanet u mbyllën. Perimet u zhdukën nga kopshtet e njerëzve. Në krye të dimrit asgjë nuk dukej shpresëdhënëse për banorët e Vagonkës. Por më pas ata mësuan se po vinte Z.Putin. “Putini do të vijë dhe gjithë qyteti do të jetë në gjendjen e mëparshme”, - tha Nadezhda Shamova. “Ai është një njeri i shkëlqyer. Një njeri i madh. Është i mrekullueshëm fakti që ai po vjen”. Maksim Paznikov, 39 vjeç, i cili është taksist që prej rënies ekonomike që shkaktoi mbylljen e biznesit të tij të pasurive të paluajtshme, ka të njëjtin besim si ajo. “Të gjithë shpresojnë tek ai”, - tha zoti Paznikov. “Lërini palët ta zgjidhin problemin ndërmjet tyre. Në Pikalevo e zgjidhën në dy orë. “Zoti Putin është parë si shpëtimtar i qyteteve fabrika që prej qershorit, kur ai zbriti në Pikalevo dhe detyroi biznesmenët të paguanin rrogat e punonjësve si edhe të rihapnin uzinën 50-vjeçare që ishte burimi ekonomik i qytetit. Punonjësit u gëzuan, por ekonomistët e kritikuan këtë rast, duke u shprehur se Z.Putin u fokusua në qetësimin e përkohshëm të tensioneve sociale në vend që të adresonte çështjet në thellësi, siç ishin infrastruktura industriale e shkatërruar, produktiviteti i ulët dhe qindra “monoqytete” të krijuara nga projektuesit sovjetikë. Javën e shkuar, Z.Putin bëri të ditur se shumë prej këshilltarëve të tij ishin përpjekur ta bindnin të mos ndërhynte në Pikalevo, një monoqytet me 22.000 banorë afër Shën Pjetërburgut. Por ai u shpreh se ai e konsideronte taktikën e tij si të suksesshme, duke bërë të qartë se biznesi dhe qeveria do të dënoheshin për rritjen e papunësisë. “Është e vërtetë, problemet janë zhvilluar gjatë viteve”, - u shpreh ai në një sesion vjetor të pyetjeve dhe përgjigjeve të transmetuara në televizionin rus javën e shkuar. “Sidoqoftë, ne jemi përgjegjës për situatën e tanishme, për jetët e njerëzve dhe sigurinë e tyre financiare dhe gjendjen emocionale të tyre”. Këto mësime nuk humbën në Ural Vagon Zavod, i cili është pronë e shtetit. Porositë e blerjes ranë në mënyrë drastike gjatë vitit të kaluar, Ural Vagon Zavod i çoi punonjësit në marrjen e lejes së detyruar, duke u dhënë 2/3 e rrogës së tyre, - u shpreh Boris G. Minejev, zëdhënësi i drejtorit të përgjithshëm të fabrikës. Gjashtë mijë punonjës janë të pezulluar dhe gjatë një jave, kur linja e prodhimit ndaloi për arsye logjistike, numri arriti në 11.000. Punonjësve të pezulluar u janë ofruar punë publike, lyerje me bojë ose pastrim me pagesë shtesë nga shteti. Përveç këtyre përpjekjeve, efekti i humbjes së të ardhurave është përhapur në gjithë qytetin. Punonjësit që hynë në marrëveshje kredie gjatë viteve të fundit e gjetën veten të bllokuar nga pagesat mujore. Galina Teshova, 56 vjeç, një muratore e cila u pushua nga uzina shumë vite më parë, tha se Nizhni Tagil, një qytet prestigjioz i periudhës sovjetike, dukej sikur “po vdiste”. “Nëse do të kisha një mundësi për t’u larguar, nuk do të mendohesha dy herë”, - u shpreh zonja Teshova. “Ne jemi të bllokuar këtu, sepse kemi frikë se nëse i lëmë shtëpitë tona, nuk do të gjejmë kurrë një tjetër. Ne jemi pengje të shtëpive tona”, - thotë ajo. Marina V. Alekseyenkova, një analiste e një banke investimi në Moskë, argumenton se problemi më i madh i Ural Vagon Zavod ishte mungesa e efiçencës, për shembull, ajo pati një humbje neto në vitin 2008, i cili ishte konsideruar si një vit i mirë. Kompania u godit rëndë kur Hekurudhat Ruse, klienti më i madh i saj, ndaloi kërkesat, por gjithashtu, - shton ajo, sepse e ka humbur fuqinë e monopolit të periudhës sovjetike dhe i duhet të konkurrojë me produktin ukrainas. Shteti mund të financojë për të paguar borxhet e Ural Vagon Zavod, të stimulojë kërkesën e Hekurudhave Ruse, por sipas saj, kompania ka nevojë për një model biznesi. “Nuk është një model ekonomikisht i qëndrueshëm”. Këto mendime dukeshin të largëta kur punëtorët po përgatiteshin për Z.Putin. Sloganet zbukuronin ndërtesat prej betoni: “Ne njihemi në të gjithë botën” dhe “Prodhimi ushtarak: puna e njeriut të vërtetë” dhe “Sa më i fortë është qyteti ynë, aq më e fortë është Rusia”. Shumë punonjës të intervistuar thanë se ata shpresonin që Putini do ta rikthente fabrikën në periudhën e saj të artë të Bashkimit Sovjetik, kur punonjësve nuk u duhej të shqetësoheshin për fitimin apo humbjen. Por dukej si një mendim thjesht i dëshiruar. “Asnjë car, perëndi apo hero do të na japë siguri”, - tha Igor V. Usoltsev, redaktor i së përditshmes “Tagil Worker”. “Shoqëria jonë ka tendencën të fokusohet në legjenda si për shembull që Putini do t’i vizitojë dhe do t’i zgjidhë të gjitha”. Por e gjitha kjo ka 10 muaj që vazhdon dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë. “Ky është tranzicioni në ekonominë e tregut”, - tha ai. “Ata po humbasin iluzionet e tyre”.
(The New York Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›