Pazare lejesh ndërtimi
GJIROKASTËR – Hetimet për tragjedinë ku humbën jetën tre persona dhe u rrezikuan shumë të tjerë në qytetin e Gjirokastrës janë përqendruar në mënyrën sesi është dhënë leja e ndërtimit për pallatin e ri. Burime të rezervuara bënë të ditur dje për “Korrierin”, se kjo leje është dhënë në mënyrë të kundraligjshme nëpërmjet ryshfeteve dhe nuk ka qenë e para e këtij lloji. Madje, në emrat e të arrestuarve qëndron edhe ndarja e roleve, e cila dyshohet se krijonte edhe lehtësirat për marrjen e lejeve të ndërtimeve në bashkinë e qytetit. Sipas të njëjtit burim, sekretarja e KRRT-së së Bashkisë së Gjirokastrës dyshohet se ka qenë ura lidhëse mes firmave të ndërtimit dhe personave që jepnin lejen e ndërtimeve në bashkinë e këtij qyteti. E arrestuar vetëm një ditë pasi tre persona humbën jetën e dhjetëra të tjerë u plagosën, 56-vjeçarja Afërdita Papamihali, me detyrë sekretare në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Bashkisë, dyshohet se krijonte lidhjet mes të interesuarve për leje ndërtimi dhe ekzekutuesve të vendimeve, një pjesë e mirë e të cilëve të arrestuar për “shpërdorim detyre”. ArrestimetVetëm 24 orë pas shembjes së pallatit, prokuroria dhe policia e Gjirokastrës vuri nën pranga nëntë persona. Sipas burimeve zyrtare të policisë, u bë e ditur se menjëherë pas ngjarjes janë shoqëruar afro 30 persona, mes të cilëve nënë të arrestuar. Kështu, mësohet se të arrestuarit bënin të gjithë pjesë në grupin e punës së ndërtimit të shtesës së pallatit dhe punonjës të bashkisë. Burimet zyrtare thanë se ka rënë në pranga Alfred Mamani, 39 vjeç, shef i Urbanistikës në bashkinë e qytetit; Admir Shehaj, 30 vjeç, përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit në bashki dhe Afërdita Papamihali, 56 vjeçe, me detyrë sekretare e KRRT-së pranë kësaj bashkie. Vepra penale që rëndon mbi të akuzuarit është ajo e “shpërdorimit të detyrës”. Paralelisht mësohet të jenë arrestuar edhe Jani Ndrico, 45 vjeç, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, ekskavatorist në firmën “Arti sh.p.k”; Thanas Llahana, 58 vjeç, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, inxhinier gjeolog pranë kësaj firme; Njazi Çobani, 45 vjeç, arkitekt i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”; Luan Bufi, 58 vjeç, me profesion inxhinier ndërtimi i firmës “Arti sh.p.k dhe Sotiraq Janora, 43 vjeç, me kombësi greke e shtetësi shqiptare, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”. Punonjësit e firmës “Arti” akuzohen për “shkelje të rregullave në punë”. Disa orë pas tetë arrestimeve të para, policia e Gjirokastrës vuri në pranga, gjatë tentativës së tij për të kaluar drejt Greqisë, edhe inxhinierin zbatues të firmës, Gjergji Meçen. Tashmë është shpallur në kërkim policor edhe bashkëpronari i firmës së ndërtimit, Aristotel Haxhi. Shkaqet Policia lokale deklaroi se në bazë të hetimeve paraprake, dyshohet se shkak për shembjen e pallatit ka qenë kryerja e punimeve për ndërtimin e një pallati tetëkatësh nga shoqëria “Arti sh.p.k”, me president dhe drejtues teknik Sotiraq Janorën, me seli në Gjirokastër. Po sipas këtyre të dhënave, u tha se rrezikohen të dëmtohen edhe disa banesa të tjera në kufi me objektin në ndërtim. Prokuroria e Gjirokastrës sekuestroi dokumentacionin e subjektit për pallatin në ndërtim, si dhe janë marrë dokumentet pranë Degës së Tatimeve dhe qendrës të regjistrimit të biznesit pranë Bashkisë së Gjirokastrës. Leja e ndërtimit, debate në KRT-në e bashkisë Kërkesa për miratimin e lejes së ndërtimit nga ana e KRT-së së Gjirokastrës për projektin e godinës së paraqitur nga firma “Arti” është shoqëruar me debate në lidhje me miratimin e tij. Njëri prej 17 anëtarëve të KRT-së thotë se debatet në lidhje me miratimin e kësaj lejeje kanë qenë të ashpra mes pjesëtarëve të KRT-së gjatë mbledhjes së zhvilluar në muajin gusht të këtij viti. Bëhej fjalë për një projekt i cili paraqitej për ndërtimin e një godine në rrëzë të kodrës, në faqet e së cilës janë ndërtuar një numër godinash, thotë anëtari i KRT-së së Bashkisë së Gjirokastrës. Sipas tij, debatet i ka nxitur edhe problematika e strukturave gjeologjike të tokës në zonën për të cilën kërkohej leja. Sekuestrohet pasuria e firmës “Arti sh.p.k”Organet e hetimit në Gjirokastër kanë sekuestruar pasuritë e firmës “Arti sh.p.k”. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit kanë bërë evidentimin dhe më pas sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të dy bashkëpronarëve të firmës ndërtuese “Arti sh.p.k”, Sotiraq Janora dhe Aristotel Haxhi. “Ndërkohë është bërë ngrirja e të gjitha llogarive bankare në të gjitha bankat e nivelit të parë dhe të dytë të këtyre personave”, thotë zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Aristotel Haxh,i bashkëpronar i shoqërisë së ndërtimit “Arti sh.p.k”, vazhdon të jetë në kërkim dhe policia po punon për kapjen e tij.