E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi në krizë energjetike

Me përjashtim të Tiranës dhe disa qyteteve ku po punohet në sektorë strategjikë infrastrukturorë, të gjitha zonat e tjera të vendit vuajnë kufizimet e energjisë. Në fshatrat e thellë malorë energjia mungon 16 orë në ditë

Ende pa trokitur mirë dimri, kriza energjetike ka filluar të ndjehet thuajse në të gjithë rrethet e vendit, me përjashtim të kryeqytetit dhe pak qyteteve ku energjia është domosdoshmëri, si pasojë e vazhdimit të punimeve në sektorë strategjikë. Nga një listë e grafikëve të kufizimeve të hartuar nga “Korrieri” me ndihmën e korrespondentëve në mbarë vendin, rezulton se krahina verilindore është më problematike, pasi mungesa e energjisë është e tejzgjatur. Kështu, në Bulqizë, Peshkopi dhe Burrel, drita elektrike mungon nga 4 deri 6 orë në ditë, ndërsa për fshatrat e këtyre qyteteve kufizimet variojnë nga 10 deri në 16 orë në ditë, çka bën që energji të ketë vetëm gjatë pasdites e deri në mesnatë. Gjithashtu, problematike rezulton zona e Fushë-Krujës, ku energjia mungon 3 orë në ditë brenda qytezës dhe 8 orë në zonat përreth. Por edhe Shkodra, ashtu si përherë, zë një ndër vendet e para në listën e zezë të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, pasi në qytet energjia mungon vetëm një orë, ndërsa fshatrat paraqiten tejet problematikë me ndërprerjet që sjellin errësirë për më shumë se 6 orë çdo ditë.

Probleme edhe në jug

Që pas përfundimit të sezonit turistik, duket se situata është kthyer në problematike edhe për zonat jugore të vendit, ku energjia mungon si në fshat, ashtu edhe në qytet. Energjia elektrike në Sarandë mungon 2 orë në ditë, situatë kjo jo e përditshme, ndërsa për Delvinën gjendja është disi më pak shqetësuese, pasi qyteti në fjalë është i lidhur direkt me hidrocentralin. Por fshatrat e jugut tashmë kanë një grafik të saktë kufizimesh, edhe pse energjia mungon 1 orë çdo ditë. E prekur nga mungesa e energjisë elektrike është edhe Vlora, ku brenda zonës urbane energjia mungon 1 deri 2 orë në ditë, ndërsa në fshatra situata paraqitet më problematike me ndërprerje të rrymës elektrike deri në 5 orë në ditë.

Skemat e kufizimeve

Duket se nuk mund të lihej pa përfshirë në krizë energjetike edhe qyteti i Beratit apo zonat përreth tij, ku sipas korrespondentit të “Korrierit”, kufizimet janë taktike, çka bëjnë që, kur ka kufizime një fshat, tjetri ka energji dhe anasjelltas. Gjithashtu, nuk ekziston një grafik i saktë ndërprerjesh energjie, ndërkohë që kufizimet janë vetëm njëorëshe për qytetin, ndërsa për fshatrat, duke përfshirë këtu edhe krahinën e Skraparit, energjia elektrike mungon 3 orë çdo ditë.

Qytetet e paprekur nga kufizimet

Duket se qytetet në të cilët nuk aplikohen kufizime të energjisë elektrike janë të vendosur në zona ku edhe po punohet aktualisht për elemente strategjikë të infrastrukturës. Kështu, në qytetet e Lezhës dhe Laçit ku po punohet për implementimin e një arterieje që lidh autostradën Durrës-Kukës-Morinë me rrugën ekzistuese, kufizime energjie nuk ka, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Fierit dhe të Lushnjës, ku edhe në zonat përreth nuk kanë ndërprerje energjie. Kjo për arsyen se për këto dy qytete po ndërtohet një segment i ri i autostradës, ndërsa në Fier ekzistojnë edhe pjesët e nxjerrjes së naftës, që administrohen nga sipërmarrës të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›