E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uniformat blu, me shumicë brenda Unazës

Afro 300 efektiva patrullash, 100 rrugorë dhe 100 policë rendi janë në shërbim çdo ditë në rrugët e kryeqytetit

TIRANË - Në rrugët e kryeqytetit janë në shërbim çdo ditë 450 deri në afro 520 efektivë policie. Por dendësia e uniformave blu është dukshëm më e madhe në zonat brenda Unazës dhe kryqëzimet rrugore me ngarkesë të madhe, ndërsa zbehet deri në zhdukje në zonat periferike të qytetit. Policë rrugorë, patrulla të përgjithshme, si dhe forcat policore të rendit kanë nën vëzhgim veçanërisht zonat më të populluara të kryeqytetit, por shpesh prania e tyre e ekzagjeruar në rrugë të krijon idenë se jeton në një qytet në luftë. Numri i uniformave blu që patrullojnë çdo ditë në rrugë varion nga zona gjeografike që mbulon çdo komisariat policie në Tiranë, ku shpërndarja e uniformave dhe e kapelave qëndron në varësi të popullimit të zonës që ata mbulojnë. E ndërsa flitet për gatishmëri të tyre në detyrë për mbrojtjen dhe qetësinë e qytetarëve, asnjë studim nuk ka sesi ndikon në psikologjinë e qytetarëve me një prezencë kaq të madhe uniformash, që në jo pak raste merr trajtat e një shtetrrethimi të vërtetë.

Kështu, duke iu referuar të dhënave nga komisariatet e Tiranës, rezulton se brenda 24 orësh secili nga gjashtë komisariatet, duke marrë parasysh zonën e mbulimit, ka në shërbim 40-50 efektiva policie, të quajtur ndryshe patrullat të përgjithshme. Sipas një llogarie matematike, rezulton se numri i përgjithshëm i tyre për të gjithë komisariatet varion nga 240-300 policë. Këtij numri i shtohen edhe rreth 18-20 policë për çdo komisariat që janë në rolin e inspektorëve të rendit, që në total shkojnë nga 110-120 efektiva. Të fundit, por aspak më të rëndësishëm, janë efektivat e Policisë Rrugore. Njëqind prej tyre janë çdo ditë në patrullim rrugëve të kryeqytetit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të atyre që mund të konsiderohen patrulluesit e Tiranës në 500-600 vetë.

Zonat

Burime nga policia e kryeqytetit thonë se shpërndarja e punonjësve të policisë në patrullim është e lidhur ngushë me hapësirën gjeografike që ka për detyrë të mbulojë çdo komisariat dhe dendësinë e popullsisë që ka ajo zonë. Në vendet ku dendësia e popullsisë është më e madhe, pjesëmarrja e uniformave blu është më e madhe krahasuar me zonat më larg qendrës. Me këtë duket se shpjegohet edhe përqendrimi i një numri më të madh policësh që qarkullojnë në zonat e qendrës të qytetit, kryesisht brenda Unazës dhe më së shumti në akset rrugore kryesore. Duke iu përmbajtur kësaj strategjie, rezulton se në komisariatet më të mëdha të Tiranës, siç janë Komisariatet Nr. 1 dhe ai Nr. 2, numri i punonjësve të patrullave është më i madh se në komisariatet e zonave më periferike.

Rrugorët 

Rekordin më të madh të patrulluesve duket se e mbajnë policët e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në kryeqytet. Gjatë një dite-nate, numri i tyre në shërbim arrin në 100 vetë. Sipas burimeve zyrtare nga ky komisariat, mësohet se shifra është mëse normale, pasi problemet e shumta që ekzistojnë në akset rrugore, parkimet e gabuara dhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, që çojnë të gjitha në një trafik të rënduar, bën që prania e forcave policore të jetë në pikat më kryesore të Tiranës. Po sipas të njëjtave burime, thuhet se në kryqëzimet dhe bulevardet kryesore janë të përqendruar edhe numri më i madh i patrulluesve të efektivëve rrugorë. Në këtë numër të madh të policëve që rregullojnë trafikun, ndikojnë shumë një mori problemesh që karakterizojnë këtë sektor, ku mungesa e semaforëve apo e sinjalistikës rrugore e bëjnë të domosdoshme praninë e uniformave blu.

Policët në shërbim

240-300 efektiva - patrulla e përgjithshme

110-120 efektiva - inspektorët e rendit

100 efektiva të Policisë Rrugore

Gjithsej 450-520 patrulla në ditë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›