E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendim i drejtë

Vendimi i Federata Evropiane të Hendbollit (EHF), që pritet të merret për zvogëlimin e numrit të skuadrave kosovare që do të marrin pjesë në garat evropiane nga 4 në 2, vlerësohet si i drejtë nga njohësit e hendbollit kosovar.

Ata e shohin më të udhës pjesëmarrjen me më pak ekipe e më të forta sesa të marrin pjesë me 6 apo 4 ekipe, e të dalin kokën ulur çdo herë. Sipas tyre, gjendja e hendbollit kosovar po përkeqësohet ditë pas dite për shkak të kushteve të vështira materiale të klubeve dhe mungesës së punës me grupmosha të reja.

“Ndoshta është vendim i drejtë i EHF-it, duke i parë rrethanat dhe gjendjen e klubeve kosovare. Puna joprofesionale dhe stagnimi në punën me të rinj janë arsyet që kemi mbetur prapa. Kur po i dëgjoj disa që po thonë se jemi në hap me Evropën, unë po qeshem dhe po befasohem, sepse jemi shumë mbrapa. Te ne po çalojnë ekipet edhe shkaku i problemeve ekonomike”, ka thënë për Express trajneri i njohur kosovar, Tefik Mikushnica.

“Ndoshta më shumë ekipe pjesëmarrëse do të ishte më mirë, por do ta provojmë njëherë me dy ekipe, të mundohemi të përfaqësohemi më denjësisht në garat evropiane”, shtoi ai.

Ndërsa njëjtë mendon edhe Veton Hajrizi, që ishte pa dyshim portieri më i mirë në Kosovë në 10-15 vitet e fundit.

“Është më mirë të luajmë në Evropë me nga një ekip, ngase ne nuk kemi kapacitet të marrim pjesë me më shumë ekipe. Federata e ka çuar hendbollin kosovar në këtë gjendje që është, ky sport është drejt zhdukjes. Mbas luftës liga ishte shumë më cilësore dhe kishte më shumë ekipe, tash në ligën e parë i ke vetëm katër ekipe”, nënvizoi ai.

Sipas Hajrizit, edhe drejtuesit e shtëpisë evropiane të hendbollit e kanë parë që secilën herë është duke u keqësuar gjendja e hendbollit kosovar.

“Ne nuk jemi kërkah, kështu që EHF-i e ka marrë këtë vendim. Ndoshta me një ekip, ku do të mblidheshin hendbollistët më të mirë, do të përmirësohej diçka, por unë prapëseprapë jam skeptik se mund të bëjmë diçka në Evropë, duke e parë cilësinë e hendbollit kosovar”, mendon ish portieri i shumë skuadrave kosovare.

Ndërkohë, selektori i përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Ismet Jupa, e konsideron të drejtë vendimin që pritet të merret nga EHF vetëm për faktin se kushtet e vështira financiare të klubeve nuk po i lënë ato ta kryejnë si duhet punën e tyre.

Ai bën apel që të punohet sa më shumë me të rinj, veçanërisht në konkurrencën e femrave, në këtë kohë kur është reduktuar numri i skuadrave që do të marrin pjesë në garat evropiane.

“Ndoshta është më mirë të punojmë më shumë me grupmosha të reja, flas për konkurrencën e femrave, pasi kemi një gjeneratë të shtyrë në moshë. Sigurisht në aspektin tjetër nuk është vendim i mirë, pasi që sa më shumë ekipe në garat evropiane, do të ishte aq më mirë”, tha Jupa.

Entuziazmi i klubeve kosovare për pjesëmarrje në garat evropiane ishte jashtëzakonisht i madh, pas pranimit të hendbollit kosovar në EHF. Por, ky entuziazëm tashmë ka filluar të shuhet. Kjo i ka detyruar edhe drejtuesit e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) ta zvogëlojnë numrin e klubeve nga Kosova për pjesëmarrje në garat evropiane.

Në sezonin e parë pas pranimit (2005-2006), EHF kishte vendosur që gjashtë skuadra kosovare (tri në konkurrencën e meshkujve dhe tri në atë të femrave) të garojnë në garat ndërkombëtare. Mirëpo, kjo nuk shkoi gjatë. Në sezonin 2006-2007, në pamundësi të mjeteve financiare, disa klube nuk i zhvilluan fare ndeshjet në Evropë. Pas kësaj EHF vendosi që në sezonin e radhës vetëm 4 klube ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë.

Por, joserioziteti i klubeve kosovare i ka shtyrë drejtuesit e hendbollit evropian që nga sezoni i ri vetëm dy klube (një nga konkurrenca e meshkujve dhe një nga ajo e femrave) të marrin pjesë nga garat evropiane (EHF Cup).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›