Roben: U kualifikuam pas një ndeshjeje të çmendur
Pasi realizoi rrjetën që i dhuroi Bajernit të Mynihut kualifikimin në çerekfinalet e Champions League, mesfushori Arjen Roben ka folur rreth ndeshjes së “çmendur” që u luajt të martën në Firence. Edhe pse u paraqitën në atë sfidë në avantazhin e një goli (pas përballjes së parë në “Alianz Arena”), bavarezët rrezikuan seriozisht kur Fiorentina udhëhiqte me rezultatin 2-0. Gjithsesi, skuadra e Van Gal reagoi me golin e kapitenit Mark van Bomel, i cili shkurtoi diferencën pas golave të Vargas e Jovetiç, ndërsa më pas ishte Roben ai që iu përgjigj rrjetës së dytë personale të Jovetiç, me një goditje të jashtëzakonshme. “Ishte një ndeshje emocionuese”, deklaroi mesfushori holandez për faqen zyrtare të UEFA-s, pas kualifikimit të gjermanëve falë dy golave të shënuar në fushën kundërshtare. “Sfida ishte e bukur për t’u parë, emocionuese për tifozët e pranishëm në stadium dhe në fund ne arritëm një rezultat mjaft të mirë. E përmirësuam dukshëm lojën tonë në pjesën e dytë, kur ndeshja u zhvillua më e hapur. Ishim më të lëvizshëm, edhe sepse kundërshtarët tanë shfaqën shenja lodhjeje. Fakti që e pamë veten në disavantazh 2-0 nuk e ndryshoi lojën tonë, megjithatë mendoj se kjo na motivoi më shumë. Në ato momente na nevojitej vetëm një gol për t’u kualifikuar”. Rrjeta vendimtare e shënuar nga Robën në të 65-ën, një “predhë” nga 25 metra që përfundoi në kryqëzimin e shtyllave, nuk mund të harrohet lehtë: jo vetëm prej ekzekutimit, por edhe për faktin se Bajerni ndodhej për herë të dytë në disavantazhin e dy golave. “Ishte një ndeshje ‘e çmendur’, me aksione nga të dy krahët dhe si ne, ashtu edhe Fiorentina, kishim shanse për të shënuar në fraksionin e dytë, shtoi 26-vjeçari. Sigurisht që realizova një gol të bukur, jam i lumtur për këtë, por mendoj se mund të ishim paraqitur edhe më mirë. Krijuam shumë raste përpara portës kundërshtare dhe mund të kishim shënuar të paktën edhe një herë”. Mesfushori tjetër holandez i Bajernit, Van Bomel, i cili realizoi golin e parë për të besuarit e Van Gal, u shpreh i kënaqur me rezultatin, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat u zhvillua takimi. Ai tha: “Ishte një ndeshje e vështirë, e luajtur në kushte të çuditshme atmosferike. Frynte një erë e fortë, e cila krijoi probleme për të dyja skuadrat: natyrisht që ishte një faktor që na ndihmoi në pjesën e dytë, por era ndikoi edhe në golin e parë të Fiorentinës”. Në fund, kapiteni i gjermanëve foli edhe për shortin e çerekfinaleve që do të hidhet më 19 mars, duke shpresuar që të shmanget përballja me ish-klubin e tij, Barcelonën. “Tani na duhet të jemi me fat gjatë shortit. Ekzistojnë mjaft faktorë, të cilët mund të përcaktojnë ecurinë tonë në Champions, por nuk dëshiroj të luaj kundër Barçës”, shtoi 32-vjeçari.
Megjithatë, e vërteta është se Bajerni e pagoi me çmim të shtrenjtë kualifikimin, pasi Mario Gomez u dëmtua dhe do të mungojë për të paktën tri javë. Stafi mjekësor i klubit ka theksuar se sulmuesi pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë çerekfinale më 30 ose 31 mars.
#