E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendim i dyshimtë

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar e vë në dyshim ligjshmërinë e vendimit të Qeverisë për rritje pagash. Zëdhënësi Andy McGuffie, duke iu referuar rastit konkret, thotë se vendimet për buxhetin duhet të merren në bazë të kornizës ligjore. Me Pakon e Ahtisarit, ICO-ja mund t’i anulojë ligjet dhe vendimet e Qeverisë. Nga Agon Sinanaj më 31 janar 2011 në ora 09:01

Vendimi për ngritjen e pagave mund ta fusë Qeverinë e Kosovës në telashe me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar. Në rastin më të keq, ky institucion mund t’i anulojë ligjet dhe vendimet që miratohen nga autoritetet e Kosovës. Kjo fuqi buron nga Pakoja e Ahtisarit, derivat i së cilës është edhe Kushtetuta e Kosovës.

Bazuar në këtë, ICO-ja e vë në dyshim ligjshmërinë e vendimit të kryeministrit Thaçi për rritjen e pagave.

“Është po aq e rëndësishme që vendimet për buxhetin të merren në bazë të kornizës ligjore përkatëse”, ka thënë për Express, zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffie, duke iu referuar vendimit të Qeverisë.

Ai, madje, i ka dërguar një këshillë për këtë punë Qeverisë së Kosovës.

“Këshilla jonë për Qeverinë është se përmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe menaxhimi i përgjegjshëm i buxhetit, duke siguruar burime adekuate të të hyrave për mbulimin e shpenzimeve, janë të rëndësishme për kredibilitetin e Kosovë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, burime të Expressit tregojnë se kërkesa e ICO-së ka qenë që vendimi për rritjen e pagave fillimisht duhet t’i shkojë Kuvendit për miratim. Nëse merr “izën” e Kuvendit, tek atëherë mund të dalin pagat me rritje.

Gjithashtu, mësohet se vendet e Quintit biseduan katër orë radhazi të martën e kaluar për këtë vendim, duke kërkuar nga shefi i ICO-së, Pieter Feith, që të anulojë vendimin. Por, jo të gjitha vendet e Quintit kanë pasur qëndrim të njëjtë. Disa prej tyre kanë deklaruar se Kosova është vend i pavarur dhe duhet të marrë vetë përgjegjësi për vendimet që ka marrë dhe më pas të bartë pasojat.

Por, nga Qeveria tashmë është konfirmuar se pagat për shërbyesit civilë, policinë dhe kategori të tjera do ta dalin me rritje, qysh në janar.

Ndërkohë, kjo situatë mospajtimi mund ta shtyjë ICO-në, që për herë të parë ta përdorë fuqinë e saj mbi institucionet e Kosovës. Së paku, kjo e drejtë i jepet në bazë të Pakos së Ahtisarit.

Sipas këtij dokumenti, nëse vjen në shprehje mirëqenia e qytetarëve, atëherë ICO-ja do të marrë masa korrigjuese për ta përmirësuar çdo veprim që ndërmerret nga institucionet e Kosovës.

“Masat e tilla korrigjuese mund të përfshijnë, por nuk kufizohen me anulimin e ligjeve apo vendimeve që miratohen nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në aneksin 9 të Pakos se Ahtisarit. Gjithashtu, ky institucion do ta këtë autoritetin ta sanksionojë apo largojë nga detyra çdo zyrtar publik.

Megjithatë, McGuffie nuk është lëshuar shumë në aspektet se çka do të ndodhë në rastin konkret.

Ai vetëm ka thënë se menaxhimi i buxhetit është çështje e Qeverisë.
“Ashtu siç është përcaktuar edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin, Qeveria konsultohet me ne për këtë çështje”, ka thënë ai.

Ndryshe, vendimi për rritje pagash është marrë nga Qeveria në dorëheqje, në mungesë të Kuvendit. I njëjti ka ardhur pas premtimeve dhe memorandumeve që kryeministri në dorëheqje pati nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas këtij vendimi, nga 1 janari, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›