E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen plaçkitësit e shtëpive

Nga Express më 30 janar 2011 në ora 18:03

Policia e Podujevës arrestoi tre të dyshuar të cilët kanë vjedhë në një shtëpi në fshatin Dumnicë. Dy të dyshuar tjerë janë në kërkim. D.K, B.H dhe ndihmësi i tyre I.V. kanë hyrë në shtëpinë e Hashim Kosumit në fshatin Dumnicë. Pronari i shtëpisë gjendet në Zvicër me tërë familjen ndërsa njëri nga të dyshuarit është i afërm i tij.

Zëvendëskomandanti i stacionit të Policisë në Podujevë Naim Latifi, tha se janë arrestuar edhe tre blerësit e gjësendeve të vjedhura, por që më vonë janë liruar për në procedurë të rregullt. “Pas një pune intensive, kemi arritur t’iu biem në gjurmë të dyshuarve që kishin kryer tri vjedhje të rënda në të njëjtën shtëpi në fshatin Dumnicë (më 18, 19 dhe 29 janar 2011), me ç’rast tre veta janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim”, tha Latifi.

Sipas tij, gjësendet e vjedhura janë një televizor plazma 1 DVD, 1 thithëse elektrike, 3 tavolina druri me xham, 3 tepihë, një aparat i kafesë, një ventilator, një karrocë pune, tri bombola gazi, enë kuzhine, etj. Policia ka gjetur edhe dy aparate televizive plazma në fshatin Shajkoc të Podujevës, që janë vjedhur në dhjetor të vitit 2010. Po ashtu, para dy ditësh janë gjetur edhe rrobat që ishin vjedhur në një butik të Podujevës. Sipas Naim Latifit, të gjitha këto i janë kthyer pronarit të lokalit të sipërpërmendur, ndërsa të dyshuarit e këtyre dy vjedhjeve dihen dhe ata janë në kërkim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›