Mustafa përcaktohet për Opozitë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se kjo parti nuk ka marrë ftesën për të qenë pjesë e qeverisjes gjithëpërfshirëse, por edhe nëse marrin ftesë përgjigjja do të jetë negative, pasi sipas tij LDK do të qëndrojë në opozitë dhe se nuk do të bëjë pazar me premtimet e dhëna para elektoratit.
Mustafa ka përkujtuar se çështja e koalicionit me PDK’në ka qenë e vendosur në fushatën e partisë që ai drejton, ndërsa lidhur me certifikimin e zgjedhjeve nga KQZ’ja, ai ka thënë se LDK’ja do të deklarohet pas certifikimit të këtyre rezultateve.
“Ne jemi përcaktuar edhe gjatë fushatës në komunikimet tona që kemi pas me anëtarësinë dhe qytetarët. Mbetet ashtu siç kemi thanë në opozitë, ndërkaq, ne do të përcaktohemi dhe të deklarohemi pasi që rezultatet të certifikohen”, ka thënë Mustafa, pas akademisë përkujtimore të dielën me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të ish-Nënkryetarit të LDK’së, Fadil Ferati.
Numri një i LDK’së ka thënë se ndërkombëtarët nuk kanë arsye të bëjnë presion për një koalicion me PDK’në dhe se zgjidhja do të bëhet sipas mandatit të marrë nga qytetarët.
“Ne nuk bëjmë pazar me premtimet tona që u kemi dhënë qytetarëve. Ne u kemi thënë atyre se çfarë politikash do të ndjekim dhe kemi qenë shumë të qartë se nëse ne fitojmë do ta themelojmë qeverinë në mandat të parë pa PDK’në dhe në rast tjetër ne do të mbesim në opozitë, kështu që do të mbetemi në opozitë”, ka thënë Mustafa.
Për sa i përket ndonjë ftese të mundshme nga kryeministri në largim Hashim Thaçi për një qeverisje gjithëpërfshirëse, Mustafa ka thënë se nuk kanë ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë edhe pse qëndrimi i LDK’së tashmë dihet.
“Jo, ne nuk kemi kurrfarë kontakti ose ftese të drejtpërdrejtë, mirëpo qëndrimi jonë dihet dhe ne do të mbajmë këtë qëndrim deri në fund”, ka thënë Mustafa.
LDK gjatë kohës së fushatës kishte bërë të ditur se nëse fitojnë zgjedhjet e 12 dhjetorit do të formojnë një qeveri pa PDK’në, në të kundërtën do të mbesin në opozitë. Sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, parti e parë në zgjedhjet parlamentare në vend ka dalë PDK’ja, ndërsa LDK është renditur në vendin e dytë.