Kryeministri norvegjez Stoltenberg: Norvegjia mbështet kandidaturen e Shqipërisë për në NATO
Në vijm të vizitës në Nju Jork, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin Norvegjez, zotin Jens Stoltenberg
Të dy personalitetet ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe per intensifikimin e tyre ne të ardhmen. Kryeministri norvegjez u shpreh se në rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen një rol të rëndësishëm luajnë iniciativat e ndërrmarra nga OKB dhe të zbatuara prej agjencive të saj.
Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit diskutuan për nismën "Një OKB". Kryeministri Berisha u shpreh se kjo nismë pozitive, e cila synon koordinimin shumë më të mirë të të gjitha donacioneve dhe projekteve të 38 agjencive të Kombeve të Bashkuara, deri tani po ecën në mënyrë të kënaqshme dhe po përmirëson fokusin e organizatave të familjes së OKB-së.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare gëzon marrëdhënie të shkëlqyera me agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si PNUD, UNICEF, UNHCR, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm nëpërmjet ndihmës së tyre në forcimin e institucioneve demokratike në vend.
Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin norvegjjez me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në rrugën drejt reformave. Nga ana e tij, Kryeministri norvegjez përgëzoi Kryeminstrin Berisha dhe shprehu mbështetjen e tij për realizimin e reformave te thella si kusht themelor për integrimin në NATO dhe në BE. “Mbështetja e Norvegjisë do të jetë e plotë dhe e gjithanshme për sa kohë Shqipëria ecën në rrugën e reformave”.- u shpreh zoti Stoltenberg.
Një vend të rëndësishëm në takim zuri edhe diskutimi për statusin e Kosovës. Kryeministri Berisha ripërsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare në përputhje me planin Ahtisari, si një akt themelor që garanton dhe respekton të drejtat e minoriteteve.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e shpejtë dhe përfundimtare e çështjes së Kosovës është në dobi të stabilitetit dhe paqes në rajon.