Vendimet e KRRTRSH, Rama: Berisha tregoi pse e do pushtetin me çdo kusht
TIRANË- Një ditë pas vendimeve të marra në KRRTRSH, për parkun energjetik në Durrës ka reaguar lideri socialist Edi Rama, duke deklaruar se kjo mbledhje tregoi më së miri, arsyen pse Berisha e do pushtetin me çdo kusht.
"Sali Berisha vazhdon në shkelje të ligjit të shkatërrojë procesin zgjedhor dhe të marshojë në rrugën e vendimeve shkatërruese për të ardhmen dhe mjedisin e përbashkët. Ai tregoi dje edhe njëherë se arsyeja pse e do me çdo kusht pushtetin, që shqiptarët nuk ia dhanë është të marrë vendime si ato të djeshmet"-tha Rama, duke shtuar se PS-ja do ta kundërshtojë me mjetet demokratike vendimin e marrë, duke u bërë zëdhënës të vendosur për të drejtën legjitime të durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve.
Sipas tij, përbindëshi i miratuar dje, jo vetëm që nuk sjell asgjë të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por do të jetë një dëm i madh për jetën e qytetarëve.
"Të gjithë e dinë fare mirë se këta përbindësha nuk ndërtohen më në Europë se bien ndesh me standardet e zhvillimit dhe për ne mushkëritë e qytetarëve tanë janë njësoj të çmuara se ato të evropianëve"- tha më tej ai.
Rama ka folur më tej edhe për procesin zgjedhor, duke përsëritur atë që është thënë që në krye të herës, se socialistët nuk do të njohin zgjedhjet nëse nuk u njihet e drejta e kontestimeve të ligjshme në Berat, Tiranë e Shkodër.
Sipas tij, Tirana i ka dhënë sërish përgjigjen Berishës, për të katërtën herë. "Humbe në Tiranë edhe më keq se dy vjet më parë"- iu drejtua ai Berishës.
08.00
KRRTRSH miraton lejet e Argita Malltezit
TIRANË- Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryeministri Berisha, ka miratuar në mbledhjen e djeshme masterplanet për ngritjen e tre fshatrave turistik në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit. Pikërisht në këtë zonë ndodhet edhe një vilë e ndërtuar nga vajza e kryeministrit, Argita Malltezi.
Gjatë prezantimit të projekteve, kryeministri Berisha, në rolin e kreut të KRRTRSH-së theksoi, se ato ishin në përputhje të plotë me vizionin e qeverisë që ai drejton për sa i përket zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Gjithashtu ai tha se këto zona bëhen gjithnjë e më të përshtatshme për të investuar për shkak edhe të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. "Gjiri i Lalzit është një nga zonat potenciale për zhvillimin e turizmit në vend",- theksoi Berisha.
Sipas një studimi të një studioje italiane për turizmin, Gjiri i Lalëzit është përfshirë në zonat kryesore në të cilat mund të ketë një zhvillim të madh të turizmit në vend. Këtë vit përfundoi gjithashtu edhe investimi prej 10 milionë dollarësh për afaltimin e aksit rrugor Maminas-Gjiri i Lalëzit, i cili ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme infrastrukturën rrugore.
Në lidhje me këtë zonë, opozita ka shprehur dyshime se vajza e kryeministrit ka blerë tokat e fshatarëve me çmime të ulëta ku toka ishte e pashfrytëzueshme dhe tashmë po shijon rritjen e vlerës së saj.
Rritja e vlerës së tokës ka ndodhur menjëherë pasi ka nisur ndërtimi i rrugës dhe do të vazhdojë me ritme galopante duke nisur nga dje që është miratuar vendimi për fshat turistik. "Fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë. Nuk e kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë.
Por për fshatin e luksit ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit, disa ministra, disa zv/ministra, si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Të gjitha dëshmojnë thelbin e sistemit ekonomiko-kriminal të Sali Berishës. Paratë e bëra përmes abuzimeve në tenderë apo gjatë zbatimit të investimeve, hidhen në pasuri të paluajtshme në fshatin turistik të qeverisë",- ka denoncuar disa muaj më parë Erion Braçe.
Po ashtu pjesë e akuzave të opozitës ka qenë edhe fakti se studioja ligjore e vajzës së kryeministrit ka hartuar anën ligjore të investimit në turizëm në këtë zonë. Sipas tyre, investitorët e ndryshëm janë vënë në dijeni të lehtësirave që mund të përfitojnë në rast se drejtojnë milionat e eurove apo të dollarëve të tyre në këtë zonë.
Shembull i kësaj skeme përfitimi duke abuzuar me vendimet e qeverisë ka qenë një njoftim i publikuar nga një kompani private, e cila tregonte lidhjet e vajzës së kryeministrit.
Kompania imobiliare kishte blerë tokë në Gjirin e Lalzit dhe më pas shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 milionë metër katrorë tokë në Gjirin e Lalëzit.
Sipas të dhënave të ofruara nga kompanitë projektuese, zonat turistike do të përbëhen nga ndërtesa që fillojnë nga dy deri në pesë kate ndërsa në total pritet që të tre projektet të zënë një hapësirë deri në 40 hektarë.
Vila "Malltezi"
Përpara se të niste ndërtimi i rrugës që të shpie në Gjirin e Lalzit, kjo zonë ishte krejtësisht e harruar dhe askush nuk mendonte të investonte në të. Por tashmë rruga e re të shpie në këtë zonë brenda 30 minutave nga Tirana. Ndërkohë tashmë rreth shtëpisë së vajzës së kryeministrit po ngrihet një "pyll" i vërtetë pishash duke e shndërruar në një resort interesant. Vetë vajza e kryeministrit, Argita Malltezi, ka pohuar se këtë vilë e ka ndërtuar për tre vjet, nga viti 2003 në 2006.
- Vendime të miratuara në mbledhjen e KRRTRSH-së
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë mori këto vendime;
1- Sheshi i ndërtimit për Hidrocentralin Ashtë, në komunën Bushat, Qarku Shkodër.
2- Shesh dhe leje ndërtimi për depozitat e karburantit në Porto Romano, për shoqërinë "Anoil"
3- Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin "Kompleks rezidencial banimi me 2,3 dhe 4 kate, me sipërfaqe 21216 m2 në fshatin Lundër, komuna Farkë. (vendimi do të zbardhet pasi në të përfshihet ndërtimi i kampusit universitar)
4- Masterplani për zhvillimin e integruar të zonës energjike dhe industriale të Porto Romanos , në Durrës, infrastruktura dhe konturet e saj.
5- Shesh ndërtimi për objektin e "Hidrocentralit Lura 1, Lura 2 dhe Lura 3".
6- Studim urbanistik pjesor për Park Logjistik Industrial, në Laknas, qarku Tiranë.
7- Shesh ndërtimi për fabrikë prodhimi, paketimi dhe tregtimi për produktet blegtorale në fshatin Pezë e Vogël, komuna Pezë.
8- Shesh ndërtimi për objektin "Tirana Business Park", më sipërfaqe 2.1 hektarë, në komunën Prezë.
9- Leje për Shesh ndërtimi për godinën 1,2,3 dhe 5 kate me destinacion hotel, me 1 kat parkim nëntokë, pranë aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". (hotel Hilton, Prezë, me investitor "Albanian Hospitality".
10- Studim urbanistik pjesor, shesh dhe leje ndërtimi për pastrimin mjedisor të Uzinës së Sodë-PVC.
11- Studim urbanistik i zonës Qesarakë, në komunën Dajt, në qarkun Tiranë.
12- Studim urbanistik i zonës me përparësi zhvillimin e turizmit Rradhimë - Orikum.
13- Detyra e projektimit, studim dhe shesh ndërtimi për "Fabrikë riciklimi të mbetjeve plastike, në fshatin Bitinskë, komuna Bilisht"
14- Studim Urbanistik Pjesor, në fshatin Hamallë, të zonës kadastrale 1925, me sipërfaqe 43.69 hektarë, në bashkinë Sukth, inv."Mane TCI" dhe "CSS Property Partners LP".
15- Studim urbanistik pjesor, në zonën 13/E dhe 13/D, në zonën turistike Gjiri i Lalzit.
16- Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 15.5 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
17- Studim urbanistik pjesor, në territorin me sip. 9.3 ha, në zonën turistike të Gjirit të Lalzit.
18- Studim Urbanistik pjesor në fshatin Lanabregas, komuna Dajt.
19- Detyra e projektimit dhe studimi urbanistik për zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e bregut në hapësirën bregdetare Derdhja e Vjosës- Hidrovori