E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimet e paligjshme që miratuan uniformën e Policisë së Shtetit



TIRANË - Një grup pune i përbërë nga ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë, aktualisht drejtori, Hysni Burgaj, nga drejtori i Drejtorisë Ekonomike, drejtues Xhevdet Kopani, shefi i Sektorit të Shërbimeve, drejtues Zenel Hyka dhe nga specialistët e uniformave, përkatësisht kryekomisar Feksor Shkurti dhe komisar Gëzim Sala, kanë përgatitur normat e furnizimit me uniformë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shoqëruar me pasqyrat përkatëse (nga Nr. 1 deri në Nr. 6), që përfshijnë përmbajtjen e normave dhe pa udhëzime përkatëse për zbatimin e tyre. Mbi këtë bazë është nxjerrë Urdhri Nr. 97, datë 16 shkurt 2009, i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, “Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit”. Ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shmanget detyrimeve të Kushtetutës dhe të ligjit, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, duke shpërdorur detyrën, merr dhe përdor kompetencat e ministrit të Brendshëm. Miratimi i Uniformës
Miratimi antiligjor i normave të uniformës së Policisë së Shtetit dhe Urdhrin Nr. 97, datë 16 shkurt 2009 nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, ka gjetur mbështetje te: neni 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili shprehet: “Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së Përgjithshme Shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri, në zbatim të kompetencave të tij nxjerr urdhra dhe udhëzime”. Neni 9, pika 1 e Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit”, që shprehet: “Policia ka buxhetin e saj, i cili është zë më vete në buxhetin e Ministrisë, të miratuar nga Kuvendi. Drejtori i Policisë është përgjegjës për menaxhimin efektiv dhe eficient të buxhetit të miratuar”. Mirëpo neni 9, pika 1, nuk parashikon kompetenca që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit. Neni 20, pika 2 e Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit” shprehet: “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është autoriteti më i lartë administrativ, teknikë dhe operacional i policisë”. Mirëpo neni 20, pika 2 nuk parashikon që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit. Në këndvështrimin e ngarkesës së nenit 9 (Buxheti i Policisë), pika 1 dhe të nenit 20 (drejtori i Përgjithshëm i Policisë) pika 3/b, c dhe ç, drejtori i Përgjithshëm i Policisë më shumë rezulton të jetë drejtor i Buxhet-Financës, sesa drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Miratimi i Stemave
Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009, “Për miratimin e stemës, uniformës, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit”, ka të bëjë me nxjerrjen e urdhrave për miratimin e normave bazohet në vendimin e qeverisë që ka miratuar uniformat. Mirëpo VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, nuk ka vendosur që ministri i Brendshëm të ketë kompetenca për të miratuar normat e furnizimit me uniformë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërsa ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, shpërdoron detyrën dhe në zbatim të VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, nxjerr Urdhrin Nr. 97, datë 16 shkurt 2009, “Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit”. Neni 56 i ligjit “Përdorimi i Uniformës së Policisë”, të Urdhrit të ministrit të Brendshëm Nr. 1404, datë 9 dhjetor 2008, “Për miratimin e rregullores së brendshme të Policisë së Shtetit”, shprehet: 1) Kanë të drejtë të përdorin dhe të veshin uniformën e Policisë së Shtetit vetëm punonjësit që kanë gradë policie. Rregullat për mbajtjen dhe përdorimin e uniformës përcaktohen në rregulloren e uniformës. Pra dhe neni 56 nuk parashikon kompetenca që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të nxjerrë urdhër për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit.
Kompetencat e ministrit të Brendshëm Në zbatim të nenit 129 (Miratimi i akteve normative) të Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit”, ngarkohet ministri të nxjerrë aktet normative në zbatim të këtij ligji. Dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 79, datë 21 janar 2009, ka vendosur miratimin e stemës, uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit. Është ministri i Brendshëm që në zbatim të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës, në zbatimin e kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime. Është ministri i Brendshëm që, në zbatim të nenit 7 (Marrëdhëniet ndërmjet Policisë dhe ministrit), pika 2/c të Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit”, të nxjerrë urdhra dhe udhëzime në përputhje me këtë ligj ose ligje të tjera.

Policia e Shtetit me norma furnizimi aspak funksionale (të pakuptimta), ose norma pa udhëzimet e zbatimit praktik të tyre. Në nenin 69 të Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit”, shprehet: “Punonjësi i Policisë së Shtetit e përdor uniformën, shenjat dhe simbolet e policisë vetëm gjatë kryerjes së detyrës”. Por, VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, nuk përcakton se kush është uniforma detyrë. Gjithsesi, Policia e Shtetit, nga polici qytetare-komunitare (me uniformat e miratuara në prill 2004), shndërrohet në polici e gjitha ceremoniale-operacionale (me uniformat e miratuara në janar 2009), çka evidentohet se, me Urdhrin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Nr. 97, datë 16 shkurt 2009, “Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit”, pika “B”, uniforma bazë operacionale, punonjësit e policisë të nivelit zbatues, pasqyrat e normave nga Nr. 2 deri Nr. 6 (përjashto pasqyrën nr. 5) pasi lihen pa kostume, por vetëm pantallona, kapele (mungon xhaketa) dhe sipas kësaj pike, punonjësve të policisë i normojnë sipas afateve të përdorin grada, stema sipas shërbimeve (???), distinktiv, shenja mbiemri etj. Punonjësit e policisë, se ku do t’i vendosin të gjitha elementet e sipërpërmendura, si pjesë përbërëse dhe të kompletimit të uniformës bazë dhe kur policisë i mungon xhaketa e kostumit, nuk dihet. Ndërsa punonjësve të Policisë së Shtetit, me Urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Nr. 97, datë 16 shkurt 2009, “Për miratimin e normave të uniformës së Policisë së Shtetit”, i normojnë për të vendosur shenja gjoksi sipas roleve, por kjo “shenjë” nuk është miratuar me VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, “Për miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit”. Më të penalizuar për të pasur uniformë bazë operacionale janë punonjësit e Hetimit të Krimit (pasqyra nr. 5 e normave të uniformave). Kësaj strukture i normojnë rrip pantallonash, por nuk i normojnë pantallona për të vendosur këtë rrip. Ministri i Brendshëm Në zbatim të nenit 129 (Miratimi i akteve normative) të Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit, ngarkohet ministri i Brendshëm të nxjerrë akte normative në zbatim të këtij ligji dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 79, datë 21 janar 2009, ka vendosur miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit. Mirëpo, vendimi i lartpërmendur nuk i ka dhënë të drejtën dhe kompetencën ministrit të Brendshëm të nxjerrë urdhra dhe udhëzime, në zbatim të VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009. Hyri në histori ministri i Brendshëm shqiptar; është i vetmi ministër që nuk ka kompetenca në këtë aktivitet. Duke shfrytëzuar këtë “harresë”, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, duke shpërdoruar detyrën, hidhet dhe merr mbi vete përgjegjësi për të nxjerrë urdhër të pabazuar, të paligjshëm (Urdhri Nr. 218, datë 9 shkurt 2010, “Për miratimin e rregullores së uniformës së Policisë së Shtetit”). Nesër do të lexoni:
Seriali i skandaleve në Policinë e Shtetit

24 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›