Studimet në Itali: Ambasada nis shpërndarjen e vizave për të rinjtë shqiptarë
Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur nga dita e sotme. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Ministria e Universiteteve në Itali ka bërë të ditur datat e zhvillimit të konkurseve, si dhe ka dhënë informacione në lidhje me procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë. Kriteret dhe përmbajtja e provimeve të pranimit në universitetet italiane, janë bërë gjithashtu të ditura për kandidatët. Studentët do të kalojnë disa kohë në pritje në vendin fqinjë para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes.
Konkurset
Studentët shqiptarë do të japin provimet e pranimit në universitet italiane gjatë 20 ditëve të para të muajit shtator. Sipas Ministrisë së Universiteteve në Itali, datat e provimit specifik për degët me konkurs në universitetet italiane do të zhvillohen duke filluar që nga data 1 shtator deri në datën 20 të po këtij muaji. Në ditën e parë të konkurseve të pranimit, të gjithë studentët shqiptarë që kanë fituar të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të testohen me shkrim dhe me gojë për njohjen e gjuhës italiane. Pas mbajtjes së provimit të gjuhës në datën 2 do të zhvillohet konkursi i parë i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji. Në datën 3 shtator do të zhvillohet konkursi i pranimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në specialitetin Odontoiatri dhe Proteza Dentare (Stomatologji). Tri ditë më pas, në datën 6 shtator, konkursit të pranimit do t’u nënshtrohen studentët që kanë zgjedhur si specialitet degën e Mjekësisë Veterinare. Për studentët që kanë preferuar degën e Arkitekturës, për të vijuar studimet e larta në Itali konkursi do të zhvillohet në datën 7 shtator. Në datën 8 shtator do të mbahet konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë. Të fundit që do t’i nënshtrohen konkursit të pranimit do të jenë studentët që kanë zgjedhur si degë Shkencat e Formimit Bazë. Konkursi për studentët që kanë zgjedhur një specialitetet të tillë për të ndjekur universitetin në Itali do të mbahet në datën 20 shtator, që do të jetë edhe dita e fundit e konkurseve.
Vendet
Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Të rinjtë që nuk do të bëhen pjesë e listave të fituesve mund të regjistrohen më pas në një degë tjetër, jo në degën që ata preferonin. Kjo është një mundësi e dytë që universitet italiane ofrojnë për studentët shqiptarë. Brenda datës 12 dhjetor 2010 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Kjo do tu jap mundësinë atyre që kanë mbetur jashtë listës së fituesve të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.
Pas protestave të banorëve, rifillon furnizimi me ujë të pijshëm në zonën e Saukut
Zona e Saukut në kryeqytet do të ketë furnizim me ujë të pijshëm pa ndërprerje. Punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve pas ndërprerjes kolektive me ujë të pijshëm dhe pas protestave të banorëve të kësaj zone, rinisën furnizimin me ujë të zonës. Gjatë inspektimeve në teren janë konstatuar rreth 200 lidhje të paligjshme, por që sipas inspektorëve të ujësjellësit edhe këta banorë që nuk paguanin kanë pasur furnizim sistematik me ujë. Po dje në një konferencë për shtyp drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi u shpreh se gjatë kohë së ndërprerjes janë marrë masa për të rehabilituar rrjetin dhe duke e pastruar atë nga lidhjet e paligjshme. Gjithashtu duke filluar që dije punonjësit e Ujësjellësit po lidhin kontrata me banorët e Saukut. “Kishte dalë jashtë funksionimit, jo për probleme teknike apo për moskryerje të investimi sipas kushteve teknike dhe sipas projektit, por si rezultat i ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes. Ishin mbi 200 ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes. Gjatë kësaj kohe është bërë sistemimi i plotë i rrjetit të shpërndarjes, janë lidhur rreh 130 kontrata” tha drejtor i Ujësjellësit, Sahit Dollapi. Drejtori i Ujësjellësit edhe njëherë bëri me dije se kjo ndërmarrje do të ndëshkojë sipas ligjit të gjitha subjektet private apo banorët që abuzojnë me ujin e pijshëm duke kryer lidhje ilegale apo duke mos e paguar atë. Pyetur në lidhje me mungesën e ujit të pijshëm në disa zona të Tiranës, Dollapi tha kjo ndodh për shkak të mungesës së korrektësisë së firmave të ndërtimit me Ndërmarrjen e Ujësjellës- Kanalizimeve dhe me vetë banorët. Sipas Dollapit pengesë bëhen gjithashtu ndërhyrjet e jashtëligjshme në rrjet dhe punimet me papërgjegjshmëri të firmave të ndërtimit. “ Mungesa e ujit të pijshëm në Tiranë është shqetësim joni permanent, është problem që e kapim çdo ditë në terren dhe vjen nga moskorrektësia e firmave të ndërtimit në marrëdhëniet me konsumatorët” tha Dollapi. Drejtori i Ujësjellës - Kanalizimeve tregon se monitorimi për lidhjet e paligjshme vazhdon dhe nëse do të konstatohen shkelje inspektorët e Ujësjellësit do të procedojnë me masat e caktuara deri në ndjekje penale.
24 Gusht 2010