Vendimet për “Metamorfozën”, lirohet ish-efektivi Bistri dhe ish-prokurori, shlyen dënimin me afatet e paraburgimit. Vendimi për Gjokën më 2 dhjetor

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimet për një pjesë të të pandehurve të dosjes “METAMORFOZA”, e ngritur nga SPAK mbi komunikimet e zbërthyera në aplikacionin e enkriptuar SKY ECC, ku sipas prokurorisë dokumentohen lidhje të botës së krimit me zyrtarë të drejtësisë dhe policisë.
Procesi është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, çka u ka sjellë të pandehurve përfitimin e uljes me 1/3 të dënimit.
Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka qëndroi rreth 4 orë në dhomë këshillimi, përpara se të shpallte vendimet për secilin prej të akuzuarve.
Për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegajn, GJKKO ende nuk ka shpallur vendimet. Seanca është shtyrë më 2 dhjetor, pasi avokatët e tij nuk kanë paraqitur ende mbrojtjen e tyre.
Gjoka është një prej emrave kryesorë në këtë dosje, i lidhur edhe me çështje pronash dhe sekuestrime të sipërfaqeve të mëdha trualli në zonën e Velipojës.
Edmond Preka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në 7 vite burg, me vuajtje në burg të sigurisë së lartë.
Behar Brajovic (Bajri) u dënua me 13 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar dënimi zbret në 8 vite e 8 muaj burg, po ashtu në burg të sigurisë së lartë.
Astmer Bilali u dënua me 8 vite e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 5 vite e 8 muaj burg, me vuajtje në burg të sigurisë së lartë.
Ndërsa lidhur me ish prokurorin Xhevair Lita dhe ish-efektivin Oltian Bistri, pavarësisht dënimit u urdhërua lirimi i tyre për shkak se e kanë shlyer dënimin në raport me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Konkretisht Xhevair Lita u dënua me 5 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj. GJKKO vendosi shuarjen e masës “arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm, pasi ai e ka shlyer tashmë dënimin.
Edhe Oltian Bistri u dënua me gjykim të shkurtuar me 2 vite burg vetëm për veprën penale “zbulim i akteve ose i të dhënave sekrete”, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit dhe për akuzën e pastrimit të parave, pasi gjykata vlerësoi se “nuk ka fakte dhe prova”.
/rtsh.al/