E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Komiteti Drejtues për forcimin e mekanizmit të referimit të dhunës në familje, Ristani: Bashkëpunim dhe vëmendje te parandalimi

Bashkia e Tiranës mblodhi sot Komitetin Drejtues të mekanizmit të koordinuar të referimit, strukturë që bashkërendon punën e institucioneve vendore për identifikimin, trajtimin dhe referimin e rasteve të dhunës në familje. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, ndërsa u diskutua forcimi i hallkave të këtij mekanizmi dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Kryetarja e Komanduar Anuela Ristani vuri theksin te domosdoshmëria e një qasjeje më të integruar.

“Mendoj që edhe në këtë drejtim do të duhet të kemi edhe më shumë vëmendje dhe bashkëpunim nga të gjithë anët. Mekanizmi i sinjalizimit, trajtimit dhe më pas reagimit duhet të ‘rrëshkasë’ mirë midis të gjithë hallkave”, u shpreh ajo.

Ristani theksoi se nevoja më e madhe është te parandalimi dhe edukimi, pasi dhuna ndaj grave nuk nis në momentin kur ndodh akti i dhunës, por në qasjen e përditshme të shoqërisë ndaj grave dhe rolit të tyre.

“Për sa i përket asaj pjesës më të madhe, ku mendoj që ka më shumë kërkesë apo nevojë për punë është edhe tek edukimi, parandalimi, ku sa herë që flasim për dhunë ndaj grave flasim për segmentin e fundit. Dhuna ndaj grave nuk është momenti kur ndodh dhuna. Dhuna ndaj grave është gjithë qasja që ne kemi me gratë, gjithë qasja që ne kemi me ata individë të shoqërisë të cilët janë shtylla e familjes dhe janë gjithë pjesa ku duhet të mbështetet shoqëria jonë”, tha ajo.

Një tjetër çështje e theksuar ishte strehimi, të cilin Ristani e cilësoi se do të ketë një vëmendje të shtuar edhe në projektbuxhetin e ri të Bashkisë për 2026. Ristani bëri me dije se Bashkia e Tiranës po zgjeron programet e strehimit me prioritet për gratë kryefamiljare dhe ato në situata të vështira, duke shtuar pikë bonus në të gjitha skemat, nga kredia e butë, tek strehimi social dhe bonusi i qirasë.

“E para njëherë sa i përket strehimit që është një ndër çështjet kryesore të kësaj grackës së dhunës, jemi duke i shtuar të gjitha programet tona që mbulojnë një pjesë të nevojave që ka qyteti për strehim duke i dhënë prioritet grave kryefamiljare apo grave në situata të vështira të cilat marrin gjithmonë pikë bonus në secilin prej programeve, qoftë në programin e kredisë së butë, qoftë në programin e strehimit social, qoftë në programin e bonusit të qirasë. Sa i përket programeve të tjera të mbështetjes së grave ato do të vazhdojnë edhe këtë vit për gratë sipërmarrëse, për bizneset të cilat janë inovative duke i dhënë pikë shtesë të rinjve dhe grave në Tiranës, por edhe programe të tjera të trajnimit apo të mësimit të aftësive”, deklaroi Ristani.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›