E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi Punonjësit me kontratë, Qeveria shton numrin

Autori i Lajmit: S. Topi
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një tjetër vendim për të shtuar numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme. Në bazë të vendimit të djeshëm të Ekzekutivit, numri i këtyre punonjësve nga 576 që ishte në shkurt të këtij viti, pas një shtese të bërë, do të shkojë në 753 persona. 177 nëpunësit e rinj do ti shtohen listës së nëpunësve publikë. Vendimi i qeverisë merret pas dorëzimit në Kuvend të raportit vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil, në të cilin theksohej se një nga shkeljet kryesore të strukturave shtetërore kryesisht atyre qendrore, por dhe vendore, ishte marrja në punë e punonjësve me kontratë të përkohshme. Sipas KSHC-së, në pjesën më të madhe të rasteve ky vendim nuk është zbatuar dhe punonjësit kanë qëndruar në punë përtej afateve të parashikuara fillimisht në kontratën e tyre.
Vendimi
“Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2010, në njësitë e qeverisjes qendrore është 753 veta”, - thuhet në pikën ë të vendimit nr. 71, datë 3.2.2010, të Këshillit të Ministrave, pas ndryshimeve të bëra. “Përjashtimisht, për Institutin e Statistikës nuk zbatohet paragrafi 2, i pikës 2, të vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe veprimtarive sezonale/të përkohshme, për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Numri i punonjësve për realizimin e veprimtarive statistikore, afatet kohore dhe të tjera specifikime lidhur me punonjësit e Institutit të Statistikës, të përcaktohen nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët të drejtorit të përgjithshëm të INSTAT-it dhe ministrit të Financave”, - saktëson Qeveria në vendimin e saj. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin e vitit 2010, të njësive të qeverisjes qendrore. Më tej është caktuar Ministria e Financave të miratojë përcaktimin e numrit të punonjësve, në strukturat përkatëse, në përputhje me kriteret e vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe veprimtarive sezonale/të përkohshme, për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Sipas KSHC-së, administrata qendrore, por dhe ajo vendore, ka shkelur ligjin për të punësuarit me kontrata të përkohshme. KSHC ka nxjerrë si përfundime se janë plot 46 raste në të cilat administrata qendrore ka shkelur ligjin në lidhje me të punësuarit me kontratë. Kjo është vënë re më shumë në Ministrinë e Brendshme, 24 raste, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, 14 raste dhe 18 raste në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës. Nëpunësit e këtyre ministrive janë punësuar me kontratë të përkohshme, por kanë vazhduar punën në këto struktura përtej afateve.

Përmbytjet, Qeveria shton 229 milionë lekë në fondin e emergjencës

Përmbytjet e fillimvitit në veri të vendit kanë bërë që Qeveria të shtojë fondin e emergjencës për këto raste. Nëpërmjet një vendimi të miratuar dje ajo ka bërë të mundur që fondit të emergjencës ti shtohen 229 milionë lekë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Investime”, ti shtohet fondi prej 229 000 000 (dyqind e njëzet e nëntë milionë) lekësh, për ndërhyrjet emergjente në objektet e mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve”, - thuhen në vendim. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›