E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përsërit premtimin: “Do të ketë rritje pagash”

Autori i Lajmit: S. Topi
“Ka dhe një vendim për pagat dhe më duhet të theksoj se pagat do të rriten, pensionet do të rriten. Qytetarët shqiptarë do ta kenë shumë të qartë zotimin para tyre, sa të na votojnë, do të kenë rritje rrogash dhe pensionesh”. Kështu ka deklaruar dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë. Reagimi i kryeministrit Berisha vjen pas rekomandimit të bërë një ditë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për reduktimin me 2 për qind të shpenzimeve në përpjekje për të ulur deficitin buxhetor këtë vit nga 7 për qind në 3 për qind. Në lidhje me këtë çështje, Ekzekutivi ka miratuar dje një vendim për të shtuar në listën e pagave dhe punonjësit e strukturës më të re të ngritur.
Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave, Agjencisë Kombëtare Bërthamore. “Në fund të pikës 1, të vendimit nr.371, datë 14.6.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të shtohet emërtesa “Agjencia Kombëtare Bërthamore”. Pagat e punonjësve të tjerë mbështetës të Agjencisë Kombëtare Bërthamore të përcaktohen sipas vendimit për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore”, - thuhet në vendimin e Qeverisë ku shtohet gjithashtu se efektet financiare, për vitin 2010 do të përballohen nga fondet e planifikuara për Agjencinë Kombëtare Bërthamore për këtë vit. Ndërkohë që një tjetër ndryshim është bërë dhe në vendimin nr.90, datë 28.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për pagat e atasheve ushtarakë, të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, që shërbejnë në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në shtabet e NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare”, të ndryshuar. Në listën e përfituesve shtohet dhe personeli civil i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky lajm është publikuar: 11/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›